Shkup, 22 shtator Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut nuk është e përgatitur sa duhet për përballimin e katastrofave. 97.660 hektarë sipërfaqe e djegur, mungesë zjarrfikësish dhe pajisje të vjetruara janë vetëm disa nga vërejtjet e evidentuara në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.
Revizorët kanë konstatuar dobësi në planifikimin strategjik, koordinimin dhe menaxhimin e burimeve, kapacitete të pamjaftueshme njerëzore dhe materiale, si dhe investime të kufizuara në modernizimin dhe pajisjen e institucioneve përgjegjëse.
“Dobësitë dhe nevoja për reforma në sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit janë konstatuar që me procesin e skriningut të realizuar nga BE-ja përmes Mekanizmit Evropian për Mbrojtje Civile në vitin 2018, por deri në ditën e revizionit, edhe pse janë ndërmarrë disa iniciativa, reformat nuk janë zbatuar. Nuk është miratuar Strategjia Kombëtare për Mbrojtje dhe Shpëtim si dokument strategjik për përcaktimin e objektivave dhe prioriteteve, ndërsa strategjia e fundit kishte vlefshmëri deri në vitin 2018”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.
Në shkurt të këtij viti, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim i ka dorëzuar Qeverisë një informacion ku theksohet se, me mënyrën aktuale të punës dhe realizimin mesatar prej rreth 1.300 kontrolleve në vit, do të duheshin afërsisht 55 vjet për të kontrolluar të gjitha subjektet juridike.
Për kryerjen e kontrolleve të rregullta dhe inspektimeve mbikëqyrëse një herë në vit, sipas vlerësimit të Drejtorisë, do të nevojiteshin 322 inspektorë, në një kohë kur vendi ka 72.181 ndërmarrje aktive.
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thonë se një pjesë e dobësive të evidentuara në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit për punën dhe gjendjen në këtë institucion janë reduktuar ndjeshëm me ndryshimet në Ligjin për Menaxhimin e Krizave.
“Dobësitë e sistemit të menaxhimit të krizave, mbrojtjes dhe shpëtimit, të cilave u referohet Enti Shtetëror i Revizionit, në thelb janë dobësi për të cilat kam folur edhe si drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza, por edhe tani si drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Një pjesë e këtyre dobësive janë reduktuar ndjeshëm me ndryshimet dhe plotësimet e vitit të kaluar në Ligjin për Menaxhimin e Krizave, ndërsa një pjesë tjetër me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Mbrojtje dhe Shpëtim nga qershori i këtij viti. Pavarësisht dobësive dhe mangësive ekzistuese, këtë verë Maqedonia u përball më me sukses se kurrë më parë me zjarret në hapësirat e hapura”, deklaroi drejtori i DMSH-së, Stojançe Angellov.
Në raport është evidentuar gjithashtu se Plani për Mbrojtje dhe Shpëtim i Republikës nuk është përditësuar, ndërsa gjatë revizionit nuk është paraqitur as dëshmi se ai është miratuar nga Qeveria.
Sipas të dhënave të NP “Pyjet Kombëtare”, gjatë periudhës 2023–2025 janë regjistruar 82.714 hektarë sipërfaqe e djegur, 914.657 metra kub masë drusore e djegur dhe dëme në vlerë prej 133.663.967 eurosh.
Vetëm gjatë vitit 2024, dëmet e shkaktuara nga zjarret kanë arritur në 83.121.333 euro.
