Bankat në vend të shërbimit po “rrjepin” qytetarët dhe bizneset!

Nga I.A
1,074 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 qershor – Bankat zakonisht asociojnë në vende ku kursehen të hollat, si vende të sigurta që me automatizëm ndikojnë në psiken tonë që t’i konsiderojmë si vende që janë në dobinë tonë. Në fakt, janë në shërbimin tonë, por këtë shërbim ne e paguajmë shumëfish. Që deri në këtë pikë jemi dakord, por çështja është më delikate kur detektohen “mashtrime” klasike në formë shumë të hapur bankat brenda vendit dëmtojnë xhepat si të qytetarëve ngjashëm edhe të bizneseve. Çmimet e tarifave sa shkojnë e rriten e kjo veçse rëndon xhepat e qytetarëve, shkruan Zhurnal.

Bankat shtrenjtojnë shërbimet

Një kredi hipotekare po bëhet luks dhe tarifat e reja do t’ju kushtojnë mbi 60,000 denarë paraprakisht. Duke filluar nga 1 gushti, qytetarët do të paguajnë tarifa më të larta për disa shërbime bankare. Nëse një transaksion i caktuar më parë kushtonte 90 denarë, tani do të kushtojë 120 denarë, që përfaqëson një rritje prej mbi 30 përqind.

Rritja e tarifave është njoftuar tashmë nga dy nga bankat më të mëdha në vend, ku qytetarët që nuk përdorin bankat dixhitale do të pësojnë goditjen më të madhe. Pensionistët dhe popullata e moshuar, të cilët kryejnë më shpesh pagesa në sportel, do të preken veçanërisht.

Sipas planeve të reja tarifore, ka rritje çmimesh edhe për paketat e pensionistëve, ku tarifat mujore rriten nga 20 në 25 denarë për paketat bazë, ose nga 30 në 35 denarë për paketat më të larta. Gjithashtu, rritet edhe tarifa për llogaritë në valutë të huaj, e cila tani do të jetë 35 denarë në muaj për monedhë, në vend të 30 denarëve të mëparshëm.

Rritjet e çmimeve vlejnë edhe për kreditë për strehim. Për klientët që do të marrin kredi për apartament nga gushti, komisioni i njëhershëm do të jetë nga 1 deri në 1.5 përqind e shumës së kredisë, e cila në disa raste mund të kalojë 60.000 denarë para se të marrin çelësat e shtëpisë së tyre të re.

Sipas vlerësimeve, një familje mesatare me katër anëtarë me dy paga, që përdor llogari, karta, shërbime bankare në celular dhe pagesa të herëpashershme në sportel, do të ketë shpenzime mujore në rritje prej 600 deri në 1.000 denarë. Në bazë vjetore, kjo përfaqëson një shpenzim shtesë prej 6.000 deri në 12.000 denarë.

Analistët ekonomikë paralajmërojnë se planet e reja tarifore do të përbëjnë një barrë shtesë për familjet për shkak të rritjes së kostove të jetesës, ndërsa mbetet pyetja nëse bankat e tjera do të ndjekin të njëjtën tendencë.

Bankat në RMV dallojnë nga ato të rajonit –

Nëse tërheqim një paralele të thjeshtë krahasuese mes bankave në RMV dhe atyre në rajon vërejmë qartësisht, se bankat e vendit tonë janë të pangopura dhe bëjnë lloj lloj manovrash që të dëmtojnë qytetarët në kurriz të përfitimeve të tyre.

Në Kosovë dhe Shqipëri, qytetarët dhe kompanitë kanë opsionet e operimit të mjeteve varësisht si zgjedhin apo duan në Lek dhe Euro. Kurse në Maqedoninë e Veriut dallon dhe nuk ekziston kjo hapësirë që qytetarët apo bizneset vetë të zgjedhin.

Qytetarët dhe bizneset kanë mundësinë t’i hapin dy llogari transaksioni në denarë dhe euro, mirëpo ajo që dallon në shtetin tonë është se një qytetar apo biznes nëse duan nga transaksioni i eurove të bëjnë transferim parash në një llogari tjetër jashtë vendit, kjo në bankat e vendit tonë nuk tolerohet.

Banka detyron qytetarët që të hollat e deponuara në valutën euro, dollar, funta apo të tjera çfarë do qofshin së pari të transferohen në denarë, më pas nga kursi i bankës të blesh sërish euro, dollarë apo çfarë ke nevojë dhe më pas të jepet e drejta e transferimit të të hollave jashtë vendit. Për të qenë edhe më e dëmshme kjo praktikë e bankave tona, prek edhe bizneset, pra, të gjithë si qytetarët ngjashëm edhe bizneset.

Por sa dëmton kjo praktikë qytetarët dhe bizneset?

Secili veprim që bëhet për përfitim duhet analizuar në detaje sepse sidomos në vendin tonë oligarkë të ndryshëm planifikojnë të pasurohen brenda natës, e kjo nuk mund të ndodhë nëse nuk rrjepën qytetarët. Fatkeqësia më e madhe qëndron që kjo tendosje e xhepave të qytetarëve dhe bizneseve lejohet të ndodhë edhe nga institucionet e shtetit.

Veprimtaria e bankave rregullohet me direktivat e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, si ato private ngjashëm edhe ato publike. Prandaj, duhet kujdes maksimal në shqyrtimin e rregulloreve të ndryshme të realizimit të veprimtarive të bankave brenda vendit.

Bie fjala për problemin e lartëpërmendur duhet me doemos të gjendet një zgjidhje afatgjate që do të rregullonte këtë problematikë mjaftë shqetësuese që dëmton në mënyrë publike pra shumë hapur xhepat e qytetarëve dhe zhvillimin e veprimtarive brenda vendit.  Pra, dëmtimi është edhe më i madh sepse para syve tanë, kjo stigmatizon të rinjtë që të merren me biznese dhe për të krijuar partneritet me biznese tjera që veprojnë jashtë vendit. Pasi, një transaksion nga Maqedonia e Veriut kudo në boto ka kosto të shumëfishtë. E kjo nuk duhet të ndodhë parimisht meqë ekzistojnë mundësitë e funksionimit të transaksioneve në valutat tjera.

Kësaj “vjedhjes” publike të të hollave të qytetareve e bizneseve duhet t’i thuhet mjaftë njëherë e përgjithmonë. Të ndërpritet sepse bankat kanë përfitime të shumanshme janë gjenerator të të ardhurave të majme që realizojnë, e këtë e dëshmojnë edhe analizat e çdo fund viti ku në krye të listës për qarkullimin më të madh të përfitimit kryesojnë bankat. Qytetarët në përgjithësi, e bizneset e reja në veçanti kanë nevojë për motiv, mbështetje dhe partneritet për të qëndruar në këmbë, e këto vështirësi nuk kalojnë dot nëse ata dëmtohen edhe më shumë, përmes manovrave të këtilla nga bankat e vendit. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër