Baritoni Riste Velkov dhe djali i tij Adami janë dy nga katër viktimat e aksidentit tragjik në unazën e Shkupit

Nga D. V.
191 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 maj, Zhurnal.mk – Baritoni i Operës dhe Baletit Kombëtar të Maqedonisë, Riste Velkov, dhe djali i tij 20-vjeçar, Adam Velkov, janë dy nga katër personat që humbën jetën në aksidentin tragjik të trafikut që ndodhi mbrëmë në unazën e Shkupit. Riste Velkov ishte solist i parë operistik, një nga baritonët më të njohur maqedonas, i cili me meritë mbante epitetin “baritoni italian me ngjyrë kadifeje të zërit”.

Në aksident humbi jetën edhe Petar Milanov, 20 vjeç nga Shkupi, si dhe një person tjetër identiteti i të cilit për momentin nuk është bërë i ditur.

Sipas materialeve video nga vendi i ngjarjes, automjeti është përfshirë plotësisht nga flakët dhe është djegur tërësisht. Drejtuesi i kamionit tërheqës MAN ka kaluar në korsinë e automjetit të personave tashmë të ndjerë dhe është përplasur me ta.

“Më 21.05.2026, në orën 23:00, në SPB Shkup është raportuar se në unazën e Qytetit të Shkupit, ndërmjet mbikalimit Vizbegovë dhe nyjës rrugore Mirkovc, B.B. (76) nga Kosova, duke drejtuar automjet mallrash – kamion tërheqës ‘MAN’ me gjysmërimorkio me targa kombëtare të Kosovës, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka kaluar përmes gardhit metalik në drejtimin e kundërt të autostradës, ku është përplasur me një automjet pasagjerësh ‘BMW’ me targa të Shkupit, të drejtuar nga R.V. (51) nga Shkupi.

Si pasojë e përplasjes ka shpërthyer zjarr në të dy automjetet, nga i cili automjeti i pasagjerëve dhe kabina e kamionit janë djegur plotësisht. Zjarri është shuar nga ekipet e Brigadës së Mbrojtjes Kundër Zjarrit të Shkupit”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme për “Sloboden Peçat”.

Nga plagët e marra në vendin e aksidentit kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit R.V. dhe bashkudhëtarët e tij A.V. (20) dhe P.M. (20) nga Shkupi, si dhe një person tjetër identiteti i të cilit ende nuk dihet, bëjnë të ditur autoritetet. Mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupat e viktimave janë dërguar për autopsi.

Po ashtu, me urdhër të prokurorit publik, drejtuesi i kamionit B.B. është privuar nga liria dhe është ndaluar në stacion policor. Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të paraqitet kallëzimi përkatës. Gjatë kryerjes së këqyrjes së vendit të ngjarjes, përkatësisht në periudhën nga ora 23:10 deri në orën 05:00, trafiku është devijuar në drejtimin Tetovë-Veles, te nyja rrugore Prishtina në drejtim të fshatit Vizbegovë, si dhe në drejtimin Veles-Tetovë te nyja rrugore Mirkovc.

Në orën 05:00 trafiku është normalizuar, shtojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër