Shkup, 22 maj, Zhurnal.mk – VLEN ka reaguar ndaj pjesëmarrjes së Bujar Ahmeti në protestën e studentëve për mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke ngritur dilema mbi rolin e tij dhe të Ali Ahmeti në këtë çështje.
Në reagimin e saj, VLEN thekson se Bujar Ahmeti ka qenë zëvendës-anëtar në komisionin për dhënien e provimit të jurisprudencës, provim që zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa tani është parë në protestën e studentëve që kërkojnë të drejtën për ta dhënë atë në gjuhën shqipe.
“Shtrohet pyetja: kundër kujt proteston Bujar Ahmeti? Kundër vetvetes si pjesë e sistemit që për vite të tëra e mirëmbajti këtë padrejtësi, apo kundër axhës së tij, Ali Ahmetit, i cili për më shumë se 22 vite ishte në pushtet dhe emëroi ministra të drejtësisë që nuk ndërmorën asnjë hap për ta zgjidhur këtë çështje?”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga kjo koalicion politik akuzohet Bashkimi Demokratik për Integrim se për më shumë se dy dekada ka manipuluar shqiptarët me premtime për avancimin e të drejtave, ndërsa studentët shqiptarë, sipas tyre, janë përballur me pengesa dhe diskriminim institucional në proceset profesionale.
VLEN vlerëson se studentët shqiptarë kanë nevojë për zgjidhje konkrete dhe jo, siç thuhet në reagim, “fotografi dhe aktrim politik”.
Në fund, VLEN deklaron se me ardhjen e tyre në pushtet, provimi i jurisprudencës do të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
