Basha: Sanohen dëmtimet në rrugën e Slivovës, kërkohet ndërhyrje urgjente e Komunës së Ferizajt për largimin e ujërave

Nga D. V.
825 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 25 qershor, Zhurnal.mk – Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se është rehabilituar një segment i dëmtuar i rrugës në fshatin Slivovë të Ferizajt, i cili sipas tij paraqiste rrezik për sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.

Përmes një postimi në Facebook, Basha tha se dëmtimi ishte shkaktuar si pasojë e grumbullimit të ujërave në skaj të rrugës, ndërsa institucionet kanë ndërhyrë menjëherë pas pranimit të informatave për gjendjen në terren.

“Si pasojë e grumbullimit të ujërave në skaj të rrugës, është dëmtuar një segment i rrugës në Slivovë, duke paraqitur rrezik për sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion. Menjëherë pas pranimit të informatës, hartuam planin e intervenimit dhe sot e sanuam dëmtimin, duke rikthyer qarkullimin e sigurt në këtë pjesë të rrugës”, ka shkruar Basha.

Ai theksoi se për të shmangur dëmtime të reja në të ardhmen, nevojitet një ndërhyrje nga Komuna e Ferizajt për mirëmbajtjen e kanalit të ujërave përgjatë rrugës.

“Për të parandaluar dëmtime të mëtejshme, është jetike që Komuna e Ferizajt të ndërhyjë urgjentisht në hapjen dhe mirëmbajtjen e kanalit për largimin e ujërave. Kjo do të mundësojë rrjedhjen normale të tyre dhe do të shmangë dëmtimin e mëtejmë të trupit të rrugës”, ka theksuar ai.

Ministri në detyrë ka falënderuar gjithashtu qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë zhvillimit të punimeve.

“Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar gjatë realizimit të punimeve në këtë segment rrugor”, ka përfunduar Basha.

Sipas njoftimit, ndërhyrja ka mundësuar rikthimin e qarkullimit të sigurt në këtë pjesë të rrugës, ndërsa mbetet të shihet nëse Komuna e Ferizajt do të ndërmarrë hapat e kërkuar për zgjidhjen e problemit me largimin e ujërave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër