Bashkim Selmani heq kollaren në studio: Studentët po bëjnë atë që ne dështuam në auditorë

Nga B.M
401 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 maj, Zhurnal.mk – Profesori universitar Bashkim Selmani ka reaguar publikisht në mbështetje të studentëve shqiptarë që protestojnë për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale, duke hequr kollaren gjatë një interviste në Alsat.

Në një akt simbolik proteste, Selmani u bëri thirrje profesorëve, mësuesve dhe intelektualëve shqiptarë që të veprojnë njësoj, duke theksuar se ata kanë dështuar përballë studentëve.

“Në shenjë proteste apeloj të gjithë intelektualët, të gjithë mësuesit, të nderuarit të heqin kollaret sepse ne nuk e meritojmë për këtë kohë, sepse nuk ia arritëm qëllimit”, deklaroi Selmani.

Ai tha se ndjen dhimbje morale për faktin se studentët po realizojnë në rrugë atë që, sipas tij, profesorët dhe universitetet nuk arritën ta bëjnë përmes institucioneve arsimore.

“Sot ndjej dhimbje sepse do të ndihem moralisht më i dobët kur të dal para auditorëve, sepse atë që nuk e realizuam nëpër auditorë sot studentët tanë e realizojnë në rrugë”, u shpreh profesori universitar.

Selmani apeloi që protestat e studentëve të mos përbuzën dhe të mos minimizohen, duke theksuar se ata përfaqësojnë të ardhmen e shoqërisë.

“Ata janë fëmijët tanë, ajo është ardhmëria jonë, ajo është shteti”, deklaroi ai.

Në fjalimin e tij, Selmani foli edhe për pozitën e shqiptarëve në shtet, duke theksuar se përderisa shqiptarët trajtohen si pakicë dhe nuk janë pjesë e barabartë e sovranitetit, sipas tij nuk ka arsye për krenari institucionale.

Deklarata e tij vjen në kohën kur protestat e studentëve shqiptarë për provimin e jurisprudencës dhe përdorimin e gjuhës shqipe kanë nxitur debat të gjerë politik dhe shoqëror në Maqedonia e Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër