Shkup, 10 Prill, Zhurnal.mk – Partia opozitare BDI sot doli me akuza të rënda ndaj qeverisë dhe VLEN-it për propozim-ligjin për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, ndërkohë që VLEN dje u lavdërua për të njëjtin, e cili propozim-ligj ende nuk është bërë publik nga qeveria e as nga kuvendi i vendit.
Sipas Zëvendës-Kryeministri Bekim Sali Versioni i propozim-ligjit që qeveria kishte dërguar në Komisionin e Venedikut të Këshillit të Evropës, ka pësuar ca ndryshime për të përfshirë në versionin (ende jo publik) të miratuar nga qeveria rekomandimet e këtij komisioni.
BDI sot në komunikatë në akuzat e saj ndaj VLEN u morë me interpretime të një versioni i cili thotë se po qarkullon në media pa theksuar se në cilat media qenka botuar i njëjti.
“Propozim-ligji për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, i hartuar nga Karakamisheva dhe i përkrahur me bujë nga VLEN, nuk është arritje – është regres brutal. Propozim që po qarkullon në media: nuk parasheh kuota etnike, që dmth ne prap do të vazhdojmë si para vitit 2001 kur shqiptarët ishin vetem 0,2 % në administratë; nuk parasheh obligim për institucionet që ti identifikojë në bazë etnisë qytetarët me rastin e punësimit apo avancimit; nuk parasheh dispozita sanksionuese,” shkruan BDI në komunikatë.
“Me një fjalë: një ligj mashtrimi, kurthi, pa shpirt, pa drejtësi. Dhe ironia më e madhe? Premtuan avancim të mekanizmave ekzistues, ndërsa në realitet po i shkatërrojnë ato që tashmë ekzistojnë. Asnjë element në këtë propozim nuk e zbaton frymën e Amendamentit VI të Kushtetutës. Politikën afirmative e kanë varrosur me vetëdije. Kjo nuk është vetëm dështim politik, është kthim i qëllimshëm prapa, drejt një kohe që shqiptarët e kanë tejkaluar me shumë mund. Dhe ajo që dhemb më shumë: në këtë dokument që shuan të drejtat, qëndrojnë edhe firma shqiptare. Kjo është vijë e kuqe. Ky është alarm. Kushdo që ende beson në barazi, në përfaqësim dhe në dinjitet, duhet të distancohet qartë nga kjo politikë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Nuk mund të heshtim kur shitet e tashmja dhe rrënohet e ardhmja”, akuzoi partia e Ali Ahmetit.
Bekim Sali, e lavdëroi propozim-ligjin (ende jo publik) kur e bëri njoftimin për miratimin.
“Qeveria e miratoi Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke përmbyllur një proces të rëndësishëm që ka kaluar në disa faza dhe që është ndërtuar me kujdes, edhe pas opinionit të Komisionit të Venecias.
Parimi kushtetues I perfaqesimit te drejte dhe adekuat ngrihet ne nivel te materjes ligjore dhe si I tille obligativ per te gjitha institucionet shteterore.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e balancuesit, u bë edhe më e qartë se shteti nuk mund të vazhdojë më me zgjidhje të pjesshme apo me mekanizma të përkohshëm. Duhej ligj. Dhe sot, pas gjithë këtij procesi, ne kemi një ligj të tillë”, tha para dy dite Sali.
Edhe VLEN dje u lavdërua me tekstin e panjohur për publikun.
“Për herë të parë pas një çerek shekulli, përfaqësimi i drejtë bëhet detyrim. Për herë të parë, kjo çështje ka ZOT SHTËPIE. Krijohet trup koordinativ, në krye me zëvendëskryeministër shqiptar. Kjo do të thotë se nuk ka më ikje nga përgjegjësia. Nuk ka më arsyetime. Tani ka adresë dhe ka llogari. Për herë të parë, mbyllet dera për mashtrimet. Nuk ka më vetëdeklarime të rreme. Ka metodologji të bazuar në të dhëna reale. Kush abuzon, do të përballet me pasoja. Ky është dallimi. Ata për 25 vite e mbajtën këtë çështje gjallë për hajni e mbijetesë politikë. Ne po e mbyllim me ligj. Ata e lanë pa adresë. Ne po i japim adresë. Pas një çerek shekulli, shqiptarët nuk kanë më nevojë për vegla. Kanë ligj,” tha VLEN në një komunikatë.
Ndërkohë që përplasjet midis VLEN e BDI vazhdojnë për tekstin e panjohur për publikun, por edhe për vet BDI e cila thirret në versionet që thotë se po qarkullon nëpër media (të panjohura), kuvendi jo vetëm që nuk e ka publiuar ende por as nuk ka përcaktuar datë se kur do të mblidhen komisionet përkatëse për të shqyrtuar versionin e ri të miratuar nga koalicioni qeverisës.
