Shkup, 15 shtator, Zhurnal.mk – BDI ka akuzuar VLEN-in për standarde të dyfishta, duke pretenduar se ajo që dikur e kundërshtonte në opozitë, sot e përdor si pjesë të pushtetit.
Sipas BDI-së, manifestimet për 35-vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut kushtojnë rreth 5.53 milionë euro, ndërsa 300 milionë denarë janë siguruar nga fitimi i pashpërndarë i Lotarisë Shtetërore.
“VLEN në opozitë e kishte luftën kundër bixhozit si kauzë morale, ndërsa sot në qeveri feston me para që vijnë nga Lotaria”, akuzon BDI-ja, duke pyetur nëse ka ndryshuar burimi i parave apo standardet politike të VLEN-it.
Partia akuzon gjithashtu pushtetin se e ka lënë Tetovën dhe artistët shqiptarë në margjinat e manifestimeve qendrore.
Sipas BDI-së, grupi tetovar Elita 5 nuk ishte pjesë e programit qendror në Shkup, ndërsa Tetova është përfshirë vetëm në aktivitetet që zhvillohen më vonë.
BDI e cilëson këtë si vazhdim të asaj që e quan politikë të përjashtimit dhe margjinalizimit të shqiptarëve, tashmë edhe në fushën e kulturës.
“VLEN duhet të tregojë pse shqiptarët mund të jenë pjesë e pushtetit, por mbeten në margjinat e përfaqësimit shtetëror, politik dhe kulturor”, thuhet në reagimin e BDI-së.
