BDI e VLEN përplasen pasi që kompania e Bosnjës thotë se e fitoi një kontest 6 milionësh ndaj MEPSO-s

Nga D. V.
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup/Sarajevë, 30 Prill, Zhurnal.mk – Ndërmarrja publike nga Bosnja e Herzegovina (BiH), Energoinvest, ka thënë se e ka fituar një kontest me operatorin e transmisionit elektrik të Maqedonisë së Veriut, MEPSO, lidhur me ndërprerjen e kontratës para 2 viteve për ndërtimin e përçuesit të rrymës elektrike prej 400kv nga Manastiri për në kufirin me Shqipërinë.

Energoinvest tha përmes një komunikate javën e kaluar se e fitoi kontestin pranë Bordit të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve (DAB), i cili është një panel ekspertësh i pavarur i emëruar në fillim të një projekti ndërtimi për të ndihmuar në parandalimin e mosmarrëveshjeve dhe zgjidhjen e tyre të shpejtë midis palëve të përfshira.

DAP, që është pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Inxhinerëve Konsultues (FIDIC) merrë vendime për mosmarrëveshjet midis kompanive.
Kompania nga BeH tha se ajo e fitoi të drejtën për kompensim nga MEPSO për 6 milionë Euro.

« Energoinvest mbronë pretendimet prej 19.3 milionë eurosh në procedurat DAB dhe fiton të drejtën për pothuajse 6 milionë euro. Vendimi i DAB konfirmon pozicionet kryesore kontraktuale dhe financiare të Energoinvest në mosmarrëveshjen ndërkombëtare FIDIC kundër AD MEPSO. Energoinvest d.d. Sarajevë informon publikun se në procedurat para Bordit të Gjykimit të Mosmarrëveshjeve (DAB), të zhvilluara sipas rregullave të FIDIC në mosmarrëveshjen kundër AD MEPSO nga Maqedonia e Veriut, u mor një vendim i rëndësishëm në favor të Energoinvest, » tha kompania publike nga Sarajeva.

Sipas komunikatës, DAB në të njëjtën kohë hodhi poshtë pretendimet e MEPSO për kompensim nga Energoinvest prej 19.3 milionë euro.
MEPSO e kishte ndërprerë kontratën e shkurtit 2020 me Energoinvest në dhjetor 2024 dhe e akuzonte kompaninë nga BeH për mospërmbushje të detyrimeve.

“Ndërprerja e kontratës ishte e pashmangshme për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve sipas kontratës nga ana e kontraktorit dhe kërkesave të tyre për pagesa shtesë. E gjithë kjo çoi në një bllokim të negociatave,” shkruante MEPS në komunikatën e 23 dhjetorit 2024.

Duke u bazuar në njoftimin nga Energoinvest, BDI sot kërkoi një hetim ndaj kreut të MEPSO-, Burim Latifit.

“Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon hetim të menjëhershëm ndaj Burim Latifi, Drejtor i Përgjithshëm i MEPSO-s dhe kushëri i parë i Izet Mexhitit, pas vendimit ndërkombëtar që dënon shtetin të paguajë 6 milionë euro dëmshpërblim,pasojë e drejtpërdrejtë e vendimeve të tij. Burim Latifi ka anuluar kontratën ekzistuese me kompaninë Energoinvest nga Sarajeva dhe e ka zëvendësuar me ELNOS BL DOOЕL nga Banja Luka, kompani e lidhur ngushtë me rrjetin e interesave të Milorad Dodikut,” tha BDI sot në një komunikatë përmes Facebook.

VLEN iu përgjigj akuzave të BDI-së me kundër-akuza.
“Në vend që të shpjegojë pse projekti kyç energjetik për lidhjen me Shqipërinë ishte i bllokuar për vite, BDI sërish zgjedh të përhapë dezinformata dhe konstruksione politike. E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe shumë më e pakëndshme për ta. Projekti që sot e sulmojnë ishte në një gjendje pothuajse tërësisht të bllokuar, me realizim prej vetëm 4% në një periudhë katërvjeçare. Kur VLEN mori përgjegjësinë, kontrata tashmë kishte skaduar, pa kushte reale për vazhdim dhe pa asnjë aktivitet ndërtimor në terren. BDI do të përgjigjet për kriminalitet dhe bllokim të projektit,” tha VLEN në reagimin e tij.

“BDI do të duhet të përgjigjet pse anëtari i tyre partiak Nefi nga Ohri ishte nënkontraktues kryesor në projekt që shërbente vetëm për vjelje parash nga MEPSO. BDI do të duhet të përgjigjet si është e mundur që pajisjet për këtë projekt ndodheshin në depot e Nefiut nga Ohri. BDI do të duhet të përgjigjet nëse paratë e nxjerra nga ky projekt përfundonin në xhepat personalë të Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit. Nëse BDI nuk përgjigjet, ka kush përgjigjet – Prokuroria Publike,” vazhdoi VLEN me akuza ndaj partisë kundërshtare.

“Në vend të ndërtimit, për vite janë zhvilluar negociata për kërkesa shtesë financiare. Është kërkuar një aneks prej pothuajse 50% të vlerës së kontratës, përkatësisht rreth 8 milionë euro më shumë, gjë që është në kundërshtim me kushtet kontraktuale dhe çdo logjikë ekonomike. Për më tepër, ekzistojnë evidenca për braktisje të njëanshme të kantierit nga ana e kontraktorit, si dhe kushtëzime me kërkesa të reja financiare menjëherë pas lidhjes së kontratës, e cila vetë ishte fituar me një çmim jorealistisht të ulët. Ndërkohë, shteti ka paguar interesa për kredi që nga viti 2015, pa përparim të projektit. Sipas analizave të brendshme dhe studimit të fizibilitetit të MEPSO, për çdo vit të mospërfundimit të projektit, gjeneron humbje rreth 5 milionë euro. Kjo do të thotë se dëmi i vërtetë nuk është ai që sot BDI e përdor në retorikë, por dëmi që është krijuar për vite për shkak të paaftësisë dhe vendimeve të gabuara të tyre,” tha VLEN.

Sipas VLEN vendimi për ndërprerjen e kontratës “të tillë jofunksionale nuk është politik, por institucional dhe logjik.”
“ Ai nuk është marrë në mënyrë të improvizuar, por pas një forenzike të detajuar dhe një analize të thellë të gjithë projektit, në përputhje me rregullat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe procedurat ndërkombëtare. Për më tepër, një vendim i tillë ka ekzistuar edhe nga menaxhmenti i mëparshëm, gjë që vetëm e konfirmon se projekti ka qenë i ndërtuar mbi baza të gabuara,” tha VLEN.
VLEN tha poasht se përpjekjet e BDI-së për ta paraqitur procedurën para DAB si vendim ekzekutiv janë “manipulim i qëllimshëm”.

“Bëhet fjalë për një mekanizëm para-arbitrazhi, i cili nuk përbën” vendim përfundimtar dhe në të cilin shteti ka të drejtë të plotë të përdorë të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e interesave të veta. Ta paraqesësh këtë si “dëm përfundimtar” është krijim i qëllimshëm i panikut dhe shmangie nga thelbi. Të theksojmë: arbitrazhi është instanca ku zgjidhen këto mosmarrëveshje dhe aty çështja do të zgjidhet në favor të shtetit dhe buxhetit të qytetarëve,” tha VLEN.

VLEN po ashtu u deklarua edhe për akuzat për kontraktimin e kompanisë nga Banjaluka për të vazhduar punimet e largpërçuesit.

“Sa i përket përzgjedhjes së kontraktorit të ri, bëhet fjalë për një kompani si Dalekovod d.d., një subjekt evropian i dëshmuar, me përvojë shumëvjeçare, e listuar në bursë dhe pjesë e grupit industrial KONČAR Group. Kompania realizon projekte në më shumë se 80 shtete dhe operon në tregjet më të rrepta evropiane, përfshirë Skandinavinë, ku standardet teknike janë më të lartat. Ajo bashkëpunon me operatorë kryesorë si Statnett, Svenska Kraftnät dhe TenneT, gjë që e bën garanci për realizim cilësor. Dallimi sot është i qartë. Në kohën e kësaj qeverie, projekti që ishte praktikisht “i vdekur” më në fund po realizohet dhe do të përfundojë. Lidhja e vetme energjetike që BDI nuk arriti ta ndërtojë për 20 vite, sot po bëhet realitet,” tha VLEN.

“Prandaj, hetimi që ata kërkojnë është më se i mirëpritur. Do ta marrin. Sepse pikërisht ai hetim do t’i nxjerrë në dritë të gjitha kriminalitetet e tyre. Dhe qytetarët tashmë e shohin kush bllokoi dhe kush ndërton. BDI mund të gënjejë dhe të insinuon sa të dojë. Por e vërteta është një: BDI i bllokoi projektet me interes për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut – nuk u ndërtua lidhja energjetike me Shqipërinë dhe Kosovën, nuk u ndërtua Korridori 8 dhe nuk u ndërtua kalimi drejt Kosovës,” tha VLEN.

Ndërkohë me 2 prill, MEPSO njoftoi se kanë rifilluar punimet për projektin në fjalë nga Manastiri për në kufirin me Shqipërinë e në ceremoninë e rastit kishin marrë pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, Ministri i Energjisë së Shqipërisë, Enea Karakaçi, Zëvendës Shefi i Delegacionit të BE-së, Nupnau Ben, përfaqësuesi i BERZH-it, Fatih Turkmenoglu.

 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër