BDI kërkon dorëheqjen e Izet Mexhiti, VLEN kundërpërgjigjet: BDI po përhapë lajme të rreme dhe manipulon publikun

Nga B.M
247 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 prill, Zhurnal.mk – Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair ka reaguar ndaj situatës politike dhe juridike ndaj komunës së Çairit, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit Izet Mexhiti.

Sipas BDI-së, ekzistojnë pretendime për një dosje gjyqësore voluminoze që lidhet me shkelje në fushën e ndërtimit, të cilat, siç thotë kjo parti opozitare, kanë shkaktuar dëme deri në 72 milionë euro në buxhetin komunal.

Menjëherë ka reaguar VLEN, duke i cilësuar këto akuza si të pavërteta dhe duke akuzuar BDI-në për përhapje të lajmeve të rreme dhe manipulim politik.

Nga VLEN thonë se “derisa institucionet më në fund po e zbërthejnë nyjën kriminale shumëvjeçare, kjo parti po i kthehet konfigurimit të saj të vetëm të fabrikuar”.

“Por qytetarët nuk i blejnë më skenarët e tyre të lira; koha kur krimi fshihej pas flamurit kombëtar ka përfunduar përgjithmonë. Ali Ahmeti dhe “garda e tij e parë” janë të fundit që mund të flasin për nder dhe interesa kombëtare. Opinioni e di mirë, dhe arkivat e vërtetojnë: BDI ishin dhe mbetën shërbëtorët më besnikë të Sasho Mijallkovit, me të cilin në rrethe të ngushta i kanë marrë vesh punët e dyshimta që i pasuruan familjet e tyre dhe i varfëruan shqiptarët,” tha VLEN në reagimin.


“Është qesharake dhe tragjike kur për moral flet Bujar Osmani, i vetmi shqiptar për të cilin Prokuroria Speciale Publike (PSP) me prova ka pretenduar se është i përfshirë në krim të rëndë. Osmani nuk është kurrfarë politikani evropian, por një profiter i zakonshëm politik, i cili në vend që të mbajë ligjërata në media, duhej prej kohësh të jepte llogari para organeve hetuese për shkeljet e tij”, vazhdoi tutje VLEN.

Nga VLEN gjithashtu thonë se sulmet e BDI të orkestruara kundër Izet Mexhitit janë një projeksion klasik i frikës së tyre.

“Ndërsa BDI shpik “dosje” fiktive, realiteti i demanton me fakte: pikërisht kuadrot e tyre këto ditë po përballen me ekspozim publik dhe kallëzime penale për abuzime që peshojnë mbi 700.000 euro. BDI sot funksionon si një zyrë avokatie e nëntokës, ku për Ahmetin shqiptari i zakonshëm është vetëm një numër votimi, ndërsa milionat e funksionarëve të tij janë mburoja për mbrojtjen e kapitalit të tij personal. VLEN nuk do të lejojë që korrupsioni të maskohet me parulla patriotike. Koha e pandëshkueshmërisë për “të paprekshmit” e Reçicës ka përfunduar. Çdo denar i vjedhur nga xhepi i qytetarëve dhe nga xhepi i popullit shqiptar do të kthehet, ndërsa paniku i Ahmetit, Osmanit dhe Bexhetit është vetëm dëshmia më e sigurt se drejtësia më në fund ka trokitur në derën e tyre.Ne vazhdojmë me rendin dhe ligjin, ndërsa ata i lëmë të mbyten në gënjeshtrat e tyre”, thonë nga VLEN.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër