BDI: Parlamenti Evropian e sheh ndikimin e “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut

Nga R.ZH
567 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 qershor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për emërtimet e rrugëve në Tetovë, duke akuzuar koalicionin VLEN se po shmang përgjegjësinë dhe po merret me sulme politike ndaj opozitës.

Sipas BDI-së, në vend që të japë llogari për, siç thotë, rikthimin e emrave të periudhës jugosllave dhe shfuqizimin e emërtimeve me përmbajtje e simbolikë shqiptare në Tetovë, VLEN vazhdon të përsërisë akuza ndaj kësaj partie.

“Në vend që të japin llogari se si u lejua rikthimi i emrave të periudhës jugosllave dhe zhbërja e një pjese të identitetit historik shqiptar në Tetovë, ata vazhdojnë të kërkojnë fajtorë aty ku nuk janë. Kjo është dëshmi e mungesës së vizionit, guximit dhe përgjegjësisë politike”, thuhet në reagim.

BDI më tej thekson se ndërkohë që, sipas saj, VLEN nuk e sheh problem drejtimin që po merr shteti, Parlamenti Evropian në raportin e tij të fundit ka ritheksuar shqetësimet për ndikimin e konceptit të ashtuquajtur “Botë Serbe” në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.

Partia opozitare akuzon VLEN-in se nuk ka reaguar ndaj, siç i quan, përpjekjeve për dobësimin e mekanizmave që garantojnë të drejtat e shqiptarëve, duke përmendur Balancuesin, mekanizmin e Badenterit, pozitën e gjuhës shqipe dhe vendimin e fundit për emërtimet e rrugëve në Tetovë.

“Parlamenti Evropian e sheh. Shqiptarët e shohin. Opinioni publik e sheh. Vetëm VLEN nuk e sheh”, thuhet në deklaratën e BDI-së.

Në fund të reagimit, BDI thekson se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e fituara të shqiptarëve, identitetin kombëtar dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, pavarësisht, siç shprehet, përpjekjeve për zbehjen e arritjeve historike të shqiptarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër