Bruksel, 05 Maj, Zhurnal.mk – Komisioneri i Energjisë i BE-së, Dan Jørgensen ka paralajmëruar për rritjen e kostove të energjisë për bllokun, të shkaktuara nga lufta në Iran dhe bllokada pasuese e Ngushticës së Hormuzit.
“Që nga shpërthimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë shpenzuar tashmë mbi 30 miliardë euro më shumë, për importet e lëndëve djegëse fosile, pa marrë asnjë furnizim shtesë”, u tha sot Jørgensen gazetarëve në Bruksel.
“Bota po përballet me atë që mund të jetë kriza më e rëndë energjetike ndonjëherë, një krizë që po vë në provë qëndrueshmërinë e ekonomive tona, të shoqërive tona dhe të partneriteteve tona”, tha ai.
Rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm (LNG) që tregtohen në botë kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Që nga fillimi i konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, Teherani ka ndalur në mënyrë efektive lundrimin përmes këtij korridori strategjik përmes kërcënimeve dhe sulmeve, ndërsa Uashingtoni ka vendosur një bllokadë detare ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.
Përveç kësaj, objektet e prodhimit të energjisë në disa vende të Gjirit janë dëmtuar nga sulmet iraniane gjatë muajve të fundit.
Jørgensen paralajmëroi për pasojat afatgjata të dëmeve, duke thënë se prodhimi i gazit në rajon, ndoshta do të kërkojë edhe vite për t’u rikuperuar, ndërsa prodhimi i naftës pritet të rimëkëmbet më shpejt.
Komisioneri evropian tha se blloku po përgatitet për probleme të mundshme në furnizimin me karburant.
“Nuk jemi ende në atë pikë, por mund të ndodhë, veçanërisht për karburantin e avionëve”, tha ai.
Komisioni Evropian pritet të paraqesë udhëzime për linjat ajrore më vonë gjatë kësaj jave.
