BE miraton zyrtarisht kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

Nga D. V.
525 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 23 prill, Zhurnal.mk – Vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar unanimisht një kredi prej 90 miliardë eurosh (rreth 105 miliardë dollarë) për Ukrainën – e shkatërruar nga lufta – si dhe sanksione të reja ndaj Rusisë, pasi Hungaria hoqi veton e saj, njoftoi sot përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas.

“Ekonomia e luftës së Rusisë po përballet me një presion në rritje, ndërsa Ukraina po merr një mbështetje të madhe”, tha Kallas në platformën X.

“Ne do t’i ofrojmë Ukrainës gjithçka që i nevojitet për të mbajtur pozicionet e saj, derisa presidenti rus Vladimir Putin të kuptojë se lufta e tij nuk të çon askund”, shtoi ajo.

Ky vendim zyrtarizon një marrëveshje të arritur më herët mes vendeve të BE-së – për të zgjidhur një mosmarrëveshje disamujore mes Kievit dhe Budapestit – lidhur me ndërprerjen e furnizimeve me naftë ruse përmes gazsjellësit “Druzhba”, i cili kalon përmes Ukrainës drejt Hungarisë dhe Sllovakisë.

Kryeministri hungarez, Viktor Orbán akuzoi Ukrainën se po pengonte rifillimin e furnizimeve me naftë ruse – për arsye politike – përpara zgjedhjeve parlamentare në Hungari, të cilat ai i humbi me diferencë të theksuar.

Kievi i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke deklaruar se tubacioni kishte pësuar dëmtime – si pasojë e sulmeve ajrore ruse në janar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi këtë javë se tubacioni ishte riparuar.

Ndërkohë, Sllovakia konfirmoi sot se nafta ruse po transportohej sërish në territorin e saj.

Financimi synon të mbulojë nevojat më urgjente ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës dhe të mundësojë vazhdimin e mbrojtjes së saj kundër Rusisë.

Komisioni Evropian planifikon të shpërndajë këstin e parë prej 45 miliardë eurosh deri në fund të qershorit, ndërsa 45 miliardë euro të tjera pritet të jepen vitin e ardhshëm.

Nga fondi prej 90 miliardë euro, një e treta është e destinuar për mbështetje buxhetore, ndërsa dy të tretat (rreth 60 miliardë euro) do të përdoren për shpenzime të lidhura me mbrojtjen.

Gjithashtu, BE-ja miratoi edhe paketën e 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë, e cila synon të kufizojë më tej të ardhurat e Moskës nga eksportet e energjisë dhe të shtojë kufizimet ndaj industrisë së armatimit.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër