Bejrut, 23 prill, Zhurnal.mk – Një armëpushim i përkohshëm midis Libanit dhe Izraelit mbetet në fuqi, ndërsa gjatë mbrëmjes së sotme pritet të zhvillohet një raund i ri bisedimesh, raportoi BBC.
Megjithatë, Izraeli vazhdon të mbajë të dislokuara trupat në jug të Libanit, me rreth 5% të territorit libanez që, sipas raportimeve ndodhet nën kontrollin izraelit.
Grupi militant “Hezbollah” ka paralajmëruar se respektimi i armëpushimit varet nga ndalimi i plotë i sulmeve në të gjithë territorin libanez.
Ndërkohë, janë raportuar sulme të reja nga të dyja palët.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se kanë zbuluar një “objekt ajror të dyshimtë” në jug të Libanit, në zonat ku operojnë forcat izraelite.
Sipas IDF-së, objekti nuk ka hyrë në territorin izraelit dhe është neutralizuar, ndërsa Hezbollahu nuk ka komentuar mbi këtë incident.
Izraeli ka përsëritur paralajmërimet për banorët libanezë që të mos “kalojnë apo kthehen” në dhjetëra fshatra në jug të vendit.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur kryeministri i Libanit, Nawaf Salam ka hedhur akuza ndaj Izraelit për krime lufte.
Sipas zyrtarëve vendas, sulmet ajrore izraelite kanë vrarë gazetaren Amal Khalil në jug të vendit. Nga ana e saj, IDF-ja ka hedhur poshtë pretendimet për shënjestrimin e gazetares.
