Bruksel, 5 maj, Zhurnal.mk – Përfaqësues të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë simuluar aktivizimin e klauzolës së mbrojtjes së ndërsjellë, në kuadër të përgatitjeve për një sulm të mundshëm hibrid në shkallë të gjerë.
Diplomatë thanë se në manovrat e krizës, të zhvilluara dje – morën pjesë ambasadorët e vendeve anëtare, përgjegjës për politikat e sigurisë, si dhe ekspertë nga institucionet evropiane.
Rezultatet e kësaj stërvitjeje pritet të kontribuojnë në përgatitjen e një plani për forcimin e mëtejshëm të klauzolës së mbrojtjes së ndërsjellë të BE-së.
Për arsye konfidencialiteti, fillimisht nuk u publikuan detaje mbi zhvillimin e ushtrimit.
Megjithatë, u konfirmua se zyrtarët përdorën një skenar fiktiv, por realist, për të testuar funksionimin e reagimit ndaj krizave dhe koordinimin në rast të sulmeve hibride.
Sulme të tilla mund të përfshijnë ndërhyrje kibernetike ndaj rrjeteve energjetike, fluturime të paligjshme me dronë dhe akte sabotimi.
Planet për forcimin e kësaj klauzole kanë qenë në proces prej kohësh në BE.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i mbështeti këto përpjekje gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, në shkurt.
Qëllimi është që BE-ja të bëhet më pak e varur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përgatitet për situata – në të cilat NATO mund të mos jetë në gjendje të veprojë, për shembull për shkak të një vetoje nga Uashingtoni.
Diplomatët theksuan se janë të mundshme edhe skenarë – ku BE-ja vepron paralelisht me NATO-n – për shembull duke ushtruar presion ndaj një kundërshtari përmes politikave tregtare ose masave diplomatike.
Klauzola e mbrojtjes së ndërsjellë, Neni 42.7 i Traktatit për Bashkimin Evropian, parashikon se nëse një shtet anëtar bëhet viktimë e agresionit të armatosur në territorin e tij, shtetet e tjera janë të detyruara të ofrojnë ndihmë dhe asistencë me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion.
Ky nen konsiderohet më i fortë në formulim sesa Neni 5 i traktatit të NATO-s, sipas të cilit vendet anëtare kanë liri veprimi mbi mënyrën se si i vijnë në ndihmë një aleati në rast sulmi.
Deri më tani, klauzola e mbrojtjes së ndërsjellë e BE-së është aktivizuar vetëm një herë, pas Sulmeve Terroriste në Paris 2015.
