BE vendosi t’iu japë fund të gjitha sanksioneve financiare ndaj Kosovës

Nga B.M
430 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 04 Mars 2026, Zhurnal.mk – Komisioni Evropian (KE) njoftoi sot se Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur që të heqë të gjitha sanksionet financiare ndaj Kosovës – të vendosura tre vjet më parë për shkak të tensioneve në komunat veriore me shumicë serbe – pas marrëveshjes nga të 27 shtetet anëtare.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha dtt-net.com se gjithsej 205 milionë euro do të lirohen sapo të lidhet një kontratë për ndihmë financiare e programuar në kuadër të programit IPA 2021 dhe 2022 midis dy palëve.

“Pas përfundimit të procedurave të brendshme, ne konfirmojmë se Komisioni tani mund të vazhdojë me lirimin e 205 milionë eurove të mbetura të ndihmës financiare. Kjo do të bëhet pasi të përfundojë nënshkrimi i kontratave për ndihmën financiare të programuar në kuadër të IPA 2021 dhe 2022,” tha zëdhënësi në një përgjigje me shkrim.

Zëdhënësi shpjegoi se lirimi i ardhshëm përfundimtar i fondeve do të përfshijë 74 milionë në projekte në kuadër të programeve vjetore IPA 2021 dhe 2022, dhe 131 milionë të tjerë në projekte në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Sanksionet u vendosën pasi blloku evropian ia hodhi të gjithë fajin qeverisë së Kosovës të Kryeministrit Albin Kurti për tensionet që shpërthyen që nga maji 2023 në katër komuna veriore me shumicë serbe, ndërsa autoritetet kosovare akuzojnë Serbinë se ishte pas destabilizimit duke filluar me bojkotin e zgjedhjeve në prill 2023 dhe më pas sulmet ndaj ushtarëve të NATO’s, policisë dhe gazetarëve nga protestuesit e dhunshëm të mbështetur nga Serbia si presion i drejtpërdrejtë që kërkonin të formonin një trupin autonom për dhjetë komuna me shumicë serbe.

Pas zgjedhjeve komunale të tetorit 2025, kryetarët komunal serb të partisë Lista Serbe të mbështetur nga Serbia u rikthyen në pushtet në komunat veriore (Mitrovicë Veriore, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan) dhe mbajtën postet edhe në gjashtë komuna të tjera, gjë që pasoi me njoftimin e KE për heqjen e sanksioneve.

Zëdhënësi i KE-së në të njëjtën kohë përsëriti thirrjet për zbatimin e reformave të përcaktuara nga BE-ja dhe gjithashtu marrëveshjen e vitit 2023 me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe e cila përqendrohet në formimin e një trupi autonom kontrovers për pakicën serbe të Kosovës për kompetenca shtesë në sektorë të shumtë në dhjetë komunat me shumicë serbe.

“Tash presim gjithashtu që Kosova të dyfishojë zbatimin e reformave shumë të nevojshme që lidhen me BE-në dhe të përparojë në detyrimet e saj të ndërmarra në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha zëdhënësi i KE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër