Tiranë, 10 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.
Begaj e cilësoi Lidhjen e Prizrenit shprehjen më të lartë të ndërgjegjes kombëtare si dhe tempull të përpjekjeve të rilindësve për bashkimin dhe pavarësinë e shqiptarëve nën një shtet të vetëm.
“Fryma e Lidhjes së Prizrenit mbetet një thirrje e përhershme për unitet, përgjegjësi kombëtare dhe përkushtim ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që janë. Shembulli, kuraja dhe mençuria e tyre mbeten frymëzim i vazhdueshëm për kombin tonë dhe do të nderohen përjetë nga ne”, theksoi Begaj, në një postim në rrjetet sociale.
Lidhja e Prizrenit është ngjarja më e rëndësishme e shekullit XIX në historinë e shqiptarëve dhe momenti që shënoi fillimin e organizimit politik kombëtar për mbrojtjen e trojeve dhe të identitetit shqiptar. Ajo u themelua më 10 qershor 1878, në një kohë kur trojet shqiptare rrezikonin të copëtoheshin sipas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe diskutimeve të Kongresit të Berlinit.
