148 vjet nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ngjarja që hodhi themelet e shtetit kombëtar shqiptar

Nga D. V.
807 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 qershor, Zhurnal.mk – Sot shënohen 148 vjet nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarja më e rëndësishme e shekullit XIX në historinë e shqiptarëve dhe momenti që shënoi fillimin e organizimit politik kombëtar për mbrojtjen e trojeve dhe të identitetit shqiptar.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua më 10 qershor 1878, në një kohë kur trojet shqiptare rrezikonin të copëtoheshin sipas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe diskutimeve të Kongresi i Berlinit.

Punimet e kuvendit u drejtuan nga Iljaz Pashë Dibra, ndërsa programi politik u hartua nga ideologë të shquar të Rilindjes Kombëtare, si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri dhe Jani Vreto.

Lidhja kishte tri objektiva kryesore: kundërshtimin e copëtimit të trojeve shqiptare, bashkimin e tyre në një vilajet të vetëm brenda Perandorisë Osmane dhe afirmimin e shqiptarëve si një komb më vete në sytë e opinionit evropian, pavarësisht dallimeve fetare.

Nga Lidhja doli një Komitet Kombëtar, i cili mori atributet e një qeverie të përkohshme dhe organizoi veprimtarinë politike, diplomatike dhe ushtarake në mbrojtje të interesave kombëtare. Nënkomitetet e krijuara në krahinat shqiptare luajtën një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e territoreve shqiptare nga pretendimet e shteteve fqinje.

Veçanërisht e rëndësishme ishte qëndresa e organizuar në veri të vendit, ku forcat shqiptare të drejtuara nga Ali Pashë Gucia dhe Hodo Beg Sokoli arritën të mbronin Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën.

Megjithëse veprimtaria e saj u ndërpre në vitin 1881, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet simbol i unitetit kombëtar dhe i përpjekjeve të shqiptarëve për liri, vetëvendosje dhe shtetformim, duke zënë një vend të veçantë në historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër