Begaj pret ambasadoren Walt: Mirëpresim rritjen e investimeve zvicerane në Shqipëri

Nga D V
727 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim ambasadoren e re të Konfederatës Zvicerane në Shqipëri, Siri Walt, me rastin e prezantimit të Letrave Kredenciale.

Në fillim të takimit, Begaj shprehu besimin se mandati i saj do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore Shqipëri – Zvicër, të mbështetura në vlera të përbashkëta evropiane, dialogun e rregullt politik dhe një bashkëpunim të gjerë në fusha me rëndësi të veçantë, përfshirë qeverisjen, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe formimin profesional, shëndetësinë, qeverisjen vendore dhe mbrojtjen e mjedisit.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në proceset e zhvillimit demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë, si dhe për kontributin e saj në forcimin e institucioneve dhe qeverisjes vendore përmes programeve të bashkëpunimit për zhvillim dhe asistencës teknike.

Kreu i Shtetit çmoi në mënyrë të veçantë investimet e qeverisë zvicerane në zonat rurale.

“Ne kemi njerëz dhe një natyre të mrekullueshme. Investimet në këto zona në rritjen e cilësisë së jetesës janë një investim që bëjmë për brezat e rinj. Gjithashtu, ruajta e trendit pozitiv që Shqipëria ka në turizëm ndihmohet shumë nga këto investime”, u shpreh Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe mirëpriti rritjen e investimeve dhe praninë e shtuar të bizneseve zvicerane në Shqipëri.

Në takim u vlerësua roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare në Zvicër, si një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve dhe popujve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër