Begaj: Shqipëria, zë i fortë në mbrojtje të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

Nga D. V.
734 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Biseda u fokusua në çështjet që shqetësojnë shqiptarët e Preshevës, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore që u takojnë, si edhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik të tyre.

Presidenti i Republikës siguroi Kryetaren e Komunës së Preshevës se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet zëri i shqiptarëve  në Preshevë, në Bujanoc e Medvegjë.

“Do të vijoj të bëj prezent në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe në të gjitha takimet e mia me partnerët shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në mbrojtje të të drejtave të tyre”, u shpreh Presidenti Begaj.

Në takim u theksua angazhimi i Shqipërisë në betejën kundër pasivizimit të adresave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, e cila sjell mohimin e të drejtave themelore të tyre, nga e drejta e votës, deri te kujdesi shëndetësor, arsimimi dhe përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e vendit ku jetojnë.

Kreu i Shtetit përgëzoi gjithashtu, futjen në progresraportin e Bashkimit Evropian të problematikave në Luginë, përpjekjet për dërgimin e çështjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe pranimin e padisë nga ky organizëm për pasivizimin e adresave, si një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë mbi respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë në Serbi.

Po ashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi sensibilizimin që po i bëjnë kësaj çështjeje ligjvënësit amerikanë, të cilët po kërkojnë shqyrtimin e këtyre shqetësimeve nga DASH.

Presidenti Begaj vlerësoi se çështjet që lidhen me identitetin tonë kombëtar dhe kulturor duhet të  bëjnë bashkë faktorët në Luginën e Preshevës duke këshilluar forcimin e bashkëpunimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër