Diego Simeone është në qendër të vëmendjes pasi Atletico Madridi dhe Arsenali barazuan 1-1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të luajtur në “Metropolitano”.
Të dy golat erdhën nga penalltitë. Së pari, në minutën e 44-të, David Hancko shkaktoi një faull ndaj Viktor Gyokeres, i cili e shndërroi gjuajtjen në gol për t’i dhënë Arsenalit epërsinë. Julian Alvarez barazoi në minutën e 56-të, gjithashtu nga pika e bardhë, pasi Ben Ëhite e kishte prekur topin me dorë.
Megjithatë, rasti më i përfoluri është një tjetër penallti e dhënë, por që më pas u anulua. Me rezultatin 1-1, gjyqtari holandez Danny Makkelie dha një penallti për Arsenalin pasi Hancko rrëzoi Eberechi Ezen në zonën e penalltisë.
Por, pas ndërhyrjes së VAR-it dhe një rishikimi të videos në monitor, gjyqtari e ndryshoi vendimin e tij për kënaqësinë e lojtarëve, trajnerit dhe tifozëve të Atleticos.
Makkelie e shqyrtoi videon për një kohë të gjatë dhe në detaje. U deshën 45 sekonda me 14 shqyrtime të momentit të kontaktit. Gjatë kësaj kohe, vendasit ushtruan shumë presion mbi gjyqtarin.
Tifozët e Atleticos krijuan zhurmë të padurueshme, dhe trajneri vendas bërtiti, bëri gjeste dhe kërceu, duke i treguar gjyqtarit se nuk ishte penallti.
Sjellja e Simeones në atë rast u quajt e neveritshme, por çmenduria e “El Cholos” u bë virale në të gjitha rrjetet sociale.
