Detajet tronditëse të rastit, reperi D4vd dyshohet se copëtoi me sharrë trupin e një adoleshenteje për të shpëtuar karrierën e tij

Nga D. V.
648 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prokurorët pretendojnë se këngëtari D4vd e ka copëtuar trupin e një vajze 14-vjeçare me një sharrë elektrike të blerë një javë pasi, sipas tyre, e kishte vrarë. Sipas akuzës, ai i ka amputuar edhe një gisht, ku ishte tatuazhuar emri i tij, me qëllim që të “distancohej nga viktima”. Këto pretendime përfshihen në një parashtresë të re, tronditëse, në çështjen e vrasjes që ka shkaktuar reagime të forta në opinion, shkruan ABC News.

D4vd, një reper 21-vjeçar nga Los Angeles, emri i vërtetë i të cilit është David Burke, u akuzua javën e kaluar për vrasjen e Celeste Rivas Hernandez, pas një hetimi që zgjati disa muaj. Ai është deklaruar i pafajshëm, ndërsa avokatët e tij këmbëngulin se ai nuk e ka kryer krimin.

Sipas policisë, trupi i copëtuar i adoleshentes, në një fazë të avancuar dekompozimi, u gjet në shtator 2025 brenda Teslës së tij, në një depo automjetesh në Hollywood. Koka dhe trupi ishin në një qese për kufoma, ndërsa gjymtyrët në një qese mbeturinash, të vendosura në bagazhin e përparmë të automjetit.

Në një parashtresë prej nëntë faqesh, prokurorët zbulojnë detaje të rënda, duke pretenduar se D4vd e kishte joshur Rivas Hernandez muaj më herët për në shtëpinë e tij në Hollywood Hills, me plan të paramenduar për ta vrarë, sepse ajo dyshohet se e kërcënonte se do të zbulonte lidhjen e tyre seksuale dhe do t’i shkatërronte karrierën muzikore. Sipas tyre, më pas ai e copëtoi trupin e saj dhe e la të dekompozohej në veturën e tij.

Prokuroria thotë se ata dyshohet se kishin nisur një marrëdhënie seksuale në vitin 2023, kur Rivas Hernandez ishte 13 vjeçe, ndërsa D4vd 18. Lidhja, sipas pretendimeve, u ndërpre në nëntor 2024, por besohet se kontaktet seksuale kanë vazhduar dhe se ajo ishte bërë xheloze për marrëdhëniet e tij me gra të tjera.

 Foto: EPA

Mesazhet tekstuale mes tyre, sipas prokurorëve, tregojnë se gjatë një zënke më 22 prill 2025, Rivas Hernandez “u bë jashtëzakonisht e acaruar” dhe kërcënoi se do të publikonte informacione të dëmshme për lidhjen e tyre, për t’ia mbyllur karrierën dhe “për t’ia shkatërruar jetën”.

Sipas akuzës, D4vd e ftoi adoleshenten në shtëpinë e tij të nesërmen, duke i porositur një Uber nga banesa e saj në Lake Elsinore.

“Duke e ditur se duhej ta heshtte viktimën para se ajo t’ia shkatërronte karrierën muzikore siç kishte kërcënuar, shumë shpejt pasi ajo mbërriti në shtëpinë e tij, i pandehuri e goditi viktimën disa herë me thikë dhe qëndroi aty derisa ajo u gjakos për vdekje”, shkruajnë prokurorët.

Ata besojnë se Rivas Hernandez u vra më 23 prill 2025 – dy ditë para publikimit të albumit debutues të D4vd – në momentin kur ndaloi çdo aktivitet në telefonin e saj.

Prokuroria pretendon se, si pjesë e planit të mbulimit, ai i dërgoi asaj disa mesazhe duke e pyetur se ku ndodhej, si pjesë e “planit të paramenduar për të fshehur vrasjen”, ndonëse – sipas tyre – ajo në atë kohë ishte tashmë e vdekur. Pas 26 prillit 2025, ai nuk tentoi më ta kontaktonte, thonë prokurorët. Gjërat e saj personale, sipas tyre, i hodhi në një zonë të izoluar në qarkun Santa Barbara, ku hetuesit gjetën në janar të këtij viti dokumentin e saj të identifikimit.

Në ditët pas vrasjes së dyshuar, prokurorët thonë se D4vd porositi në Amazon dy sharra elektrike, një qese për kufomë, çanta të forta dhe një pishinë plastike të fryrë. Disa prej këtyre sendeve thuhet se u blenë me emrin e rremë Victoria Mendez. Sipas prokurorisë, ai “mori masa tmerrësisht të rënda për të shkatërruar dhe për t’u hequr qafe trupin e viktimës”.

 Foto: EPA

Pretendohet se ai i preu gjymtyrët në pishinë “për të parandaluar që gjaku i saj të derdhej në dyshemenë e garazhit”. Fragmente të vogla plastike blu të gjetura në mbetjet e viktimës përputhen me pishinën e blerë, ndërsa provat e ADN-së nga njollat e gjakut të mbledhura në garazhin e të pandehurit përputhen me profilin gjenetik të viktimës.

“Për t’u distancuar nga viktima, ai i amputoi gishtin e unazës dhe gishtin e vogël të dorës së majtë, sepse në gishtin e unazës ajo kishte tatuazhuar emrin e tij”, thuhet në parashtresë, duke theksuar se këta gishta nuk janë gjetur. Më pas, sipas akuzës, ai i futi mbetjet e copëtuara në një qese për kufomë dhe në një qese mbeturinash dhe “e la trupin e viktimës të dekompozohej në Teslën e tij”.

Prokurorët pretendojnë gjithashtu se ai u ka gënjyer miqve dhe bashkëpunëtorëve që kishin vënë re erën e rëndë të dekompozimit në shtëpinë dhe automjetin e tij.

Sipas prokurorisë, D4vd ishte personi i fundit që e drejtoi Teslën, të cilën e parkoi pas shtëpisë së tij më 29 korrik 2025, para se të nisej në një turne koncertesh. Seanca paraprake për këtë çështje është caktuar për 26 maj.

Prokuroria thotë se kjo parashtresë është hartuar për të “ndihmuar gjykatën të kuptojë shtrirjen dhe rëndësinë e provave” që pritet të paraqiten në seancën paraprake. D4vd akuzohet për vrasje, abuzim seksual të vazhdueshëm dhe gjymtim të paligjshëm të trupit, ndërsa ndodhet në paraburgim pa mundësi lirimi me kusht.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër