Një mësues i gjuhës angleze në një shkollë private 9-vjeçare në Tiranë është shkarkuar nga detyra, pasi u konstatua se gjatë orëve të mësimit ka promovuar besimin fetar të Jehovait, duke zhvilluar diskutime me përmbajtje fetare dhe duke u dhënë nxënësve detyra që lidhen me doktrina religjioze, raporton Euronews.
Rasti ka ngjallur shqetësim tek prindërit e nxënësve të klasës së katërt, të cilët kanë denoncuar se mësuesi ka folur për dashurinë hyjnore, urdhërimet e Perëndisë dhe fundin e botës, duke e kthyer orën e anglishtes në leksione me natyrë fetare. Sipas dëshmive, nxënësit ndiheshin të detyruar të merrnin pjesë në këto diskutime.
Një nxënës ka treguar se mësuesi kishte përkushtim t’i mësonte rreth Zotit, ndërsa prindërit janë shprehur të tronditur nga një qasje e tillë, duke e konsideruar si një shkelje të rëndë në një institucion arsimor laik dhe me ndikim të papranueshëm mbi fëmijët.
Disa prindër kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar më herët për këto aktivitete, ndërsa të tjerë kanë theksuar se, pavarësisht rezultateve të mira akademike të fëmijëve të tyre ndër vite, përzierja e fesë me arsimin është e papranueshme.
Pas shqyrtimit të rastit nga strukturat përkatëse dhe komisionet disiplinore, është vendosur përjashtimi i mësuesit nga puna, për shkelje të rregullores që garanton arsimimin laik dhe neutralitetin në mjedisin shkollor.

