Beqarovski për arsenin në ujin e Valandovës: Nuk ka vend për panik, por duhet të zbulohet burimi i ndotjes

Nga Xh M
825 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 korrik Zhurnal.mk – Dr. Niko Beqarovski ka reaguar pas informacionit se në ujin e ujësjellësit të qytetit të Valandovës është matur një përqendrim i arsenit prej 14 ppb, që është rreth 40 për qind mbi kufirin maksimal të lejuar sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i cili është 10 ppb.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beqirovski shpjegon se rreziku varet nga kohëzgjatja e përdorimit të ujit të kontaminuar dhe u bën thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik.

“Përdorimi afatshkurtër, për disa ditë ose javë, te pjesa më e madhe e popullsisë nuk paraqet rrezik shëndetësor dhe nuk shkakton simptoma. Nuk ka nevojë që qytetarët të drejtohen menjëherë te mjeku, pasi helmimi akut me arsen ndodh në përqendrime që janë mijëra herë më të larta”, ka shkruar Beqarovski.

Ai thekson se uji mund të përdoret për nevoja teknike dhe për larje, por paralajmëron se zierja e ujit apo përdorimi i filtrave të zakonshëm shtëpiakë nuk e largojnë arsenin dhe nuk e ulin përqendrimin e tij.

Sipas tij, rreziku shëndetësor shfaqet në rast se uji me përqendrim të lartë të arsenit përdoret për pirje për një periudhë të gjatë, prej disa vitesh ose dekadash. Në raste të tilla mund të shfaqen shenja të helmimit kronik, si ndryshime në lëkurë, trashje e saj në pëllëmbë, tension i lartë i gjakut, rezistencë ndaj insulinës, mpirje e gjymtyrëve, si dhe rritje e rrezikut për disa lloje të sëmundjeve malinje.

Beqirovski thekson se institucionet nuk duhet të vënë në dyshim rezultatet e analizave, por duhet të fokusohen në gjetjen e burimit të ndotjes dhe, nëse është e nevojshme, të sigurojnë një burim alternativ të furnizimit me ujë për qytetarët.

“Nuk ka absolutisht asnjë arsye për panik dhe frikë, por nëse rezultatet vazhdojnë të jenë të larta, duhet të gjendet shkaku ose të sigurohet një burim alternativ për qytetarët. Nuk ka nevojë të thuhet se rezultati mund të jetë i gabuar, por përkundrazi – duhet të kërkohet burimi i ndotjes”, ka porositur Beqarovski.

Në fund, ai ka dërguar mesazh edhe për banorët e Gostivarit, duke u uruar që sa më shpejt të kenë ujë të sigurt për përdorim, duke theksuar se uji i pijshëm është një burim jetik dhe menaxhimi i sistemeve të ujësjellësit nuk mund të lihet në duart e improvizimeve dhe papërgjegjshmërisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër