Berisha: Dënoj dhunën në Zvërnec, mbështesim fuqishëm investimet e huaja

Nga D. V.
519 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pyetur sot në lidhje me projektin turistik në Zvërnec, tha se PD është një parti që mbështet fuqishëm investimet e huaja.

Para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku u paraqit për zbatimin e masës “detyrim paraqitje”, kreu i PD-së gjithashtu denoncoi dhunën e ushtruar ndaj protestuesit.

“Në qoftë se është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj atë. Ai ishte rrëmbim, në duart e policisë, dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit. Së dyti, nuk kam asnjë faqe, asnjë fletë, asnjë gjë të atij projekti. Megjithëse ju them se i kam ndjekur me shumë interes të gjitha publikimet që janë bërë.  Së treti, meqenëse e doni këtu, Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja”, tha Berisha.

Sipas tij, ka pasur një ligj i cili zgjidhte “në mënyrë të plotë dhe totale çështjen e pronësisë”.

“Cili ishte ligji? Ligji thotë këtë: në rast se qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale shtetërore pronësie, kadastre, dokumente origjinale, çdo problem që lind pas miratimit të qeverisë, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut”, tha Berisha.

Ai argumentoi edhe përse u vendos ky ligj.

“U vu ky ligj sepse konstatoja që me investitorë shqiptarë nuk ndodhte, kurse me investitorë të huaj vraponin pas pengmarrjes. Dhe informacionet që më vinin, dilte njëri e i thoshte jo, do paguash kaq se them unë kaq. Dhe kjo linte vendin pa investime. Dhe në qoftë se ty si pronar, të kanë shkelur të drejtën e pronës dhe janë firmosur dokumente mbi të, përgjegjësia është e shtetit. Dhe ai që ka bërë këtë do mbajë përgjegjësi dhe shteti do të përgjigjet ty me vlerë tregu. Është ligji që detyron shtetin me vlerë tregu”, tha Berisha.

Ai shtoi se që kur doli ai ligj ka pasur zero probleme.

“Ne jemi shumë respektues për çështjen e pronësisë, por jemi mbështetës absolut të investimeve të huaja dhe gjatë periudhës tonë ju nuk keni parë pronar të protestojë ndaj një protestuesi të huaj se po më rrëmben tokën. Jo. Ishte shteti që në qoftë se kishte firmosur, do t’i përgjigjej njëlloj sikur i kishte marrë ai tokën, me vlerë tregu”, tha Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër