Tiranë, 17 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se opozita ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor që lidhet me kompaninë KAYO.
Sipas Berishës, çështja ka të bëjë me trafik armësh përmes kompanisë KAYO, pasi po blihen armë në zona lufte dhe Shqipëria paraqitet si vend prodhues.
Berisha tha se qeveria ka dhënë 30 milionë euro për kompaninë “KAYO” për blerjen e automjeteve.
“Një vend anëtar i NATO-s bën një kontrabandë të shëmtuar. Ju duhet ta dini që tregtia e armëve ka rregulla shumë strikte, në vendin e blerjes, destinacionin e fundit, vendet tranzit dhe çdo gjë. Faktikisht kjo është një kontrabandë e mirëfilltë. Blerja bëhet nga zona lufte ç’ka është krejtësisht e papranueshme”, tha ai.
Ai shtoi se “ndryshohet vendi i blerjes, paraqitet Shqipëria si vend prodhues, e gjithë kryeministri i investuar se ne po prodhojmë armë, kur ne nuk po prodhojmë asgjë dhe transportohen në zonë lufte ku gjithashtu në meritën e atyre punonjësve të ministrisë përkatëse të Ukrainës, kërkohet tender, thonë ne blejmë me tender”.
Berisha tha se opozita do të ndjekë çështjen si brenda Kuvendit, ashtu edhe në institucionet ndërkombëtare.
“Ne do bëjmë çdo përpjekje, brenda parlamentit, do bëjmë çdo përpjekje ndërkombëtare për të paraqitur rrezikshmërinë e lartë që ky person paraqet për NATO-n, për rajonin dhe për Shqipërinë”, tha ai.
Berisha u ndal edhe tek vendimi i mazhorancën për rrëzimin e kërkesës së opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor dhe tha se, sipas tij, kjo e ka cenuar funksionimin e Kuvendit.
“Seancat këtu nuk kanë asnjë kuptim, mbasi ky parlament ka humbur plotësisht legjitimitetin e tij”, tha ai.
Berisha tha gjithashtu se PD është kundër projektligjit për pagat e magjistratëve.
“Ne jemi kundër atij ligji, në mënyrë absolute. Kjo që ndodh është e paprecedentë. Së pari, vendimi i gjykatës zbatohet. Edhe i padrejtë, zbatohet, se përndryshe s’do kemi gjykata më. Së dyti, që ta dini ju, buxheti nuk është i qeverisë. Jo. Buxheti është i shtetit. Dhe e vërteta është që në zërin e buxhetit të shtetit, sistemi i drejtësisë ka buxhetin e vet, buxhetin e vet. S’ka lidhje fare me administratën. Ligjvënësi i ka vënë atij shtabit të përgjithshëm, janë disa institucione që kanë buxhetin e tyre. Këto e presin. Nuk do ta ndalojë kush buxhetin e tyre. Ai është një akt banditesk i pashembullt. Nuk është buxheti i Surrelit. Buxheti është i shtetit”, tha ai.
