Tiranë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, tha se përplasjet e fundit me sistemin e drejtësisë dëshmojnë për shtet bandit.
Berisha tha se vendi po përballet me një mënyrë qeverisjeje që nuk respekton ligjin dhe parimet kushtetuese.
Duke u ndalur tek çështja e pagave të magjistratëve, Berisha tha se buxheti dhe thesari janë pasuri të shtetit dhe jo të qeverisë.
“Përplasjet e fundit me sistemin e drejtësisë dëshmojnë se kemi të bëjmë me një shtet bandit që nuk njeh ligj, që vepron në kundërshtim me parimet dhe tërësisht në përputhje me interesat e caktuara. Të lësh një sistem të tërë pa rroga, se je administrator i paaftë, bën një krim të vërtetë kushtetues. Ti i mohon rrogën atij që në përputhje me ligjin del tetë orë në punë. Janë me qindra e qindra punonjës dhe kjo është e paimagjinueshme. Buxheti nuk është i qeverisë, buxheti është i shtetit. Thesari nuk është i qeverisë, thesari është i shtetit”, tha Berisha.
Sipas tij, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveria duhet të kishte ndërmarrë nismat e nevojshme ligjore për zbatimin e tij.
“Gjykata Kushtetuese mori një vendim. Nuk po them as i drejtë as i padrejtë, po një vendim në të cilin thotë me datë 28 duhet ta shqyrtoni, sillni ligjin. Dhe ky i mësuar me gjykatën notere, e quajti vendimin e saj, gjë krejtësisht të pavlerë, të padetyrueshëm, si vendim e OJQ-së. Po pse s’e mblodhe parlamentin? Pse s’e bëre ligjin? Kanë 100% të drejtë ata”, u shpreh Berisha.
Berisha e lidhi situatën e krijuar me atë që ai e konsideron si mungesë respekti ndaj institucioneve dhe shtetit të së drejtës.
Në fund të fjalës së tij, Berisha shprehu sërish mbështetjen për protestën e qytetarëve para Kryeministrisë.
Ai iu tha deputetëve demokratë se zgjedhësit duhet të jenë në protestë, si qytetarë.
