Tiranë, 29 prill Zhurnal.mk – Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj. Vendimi është marrë nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), i cili ka përcaktuar edhe kriteret dhe afatet për kandidatët.
Sipas dokumentit zyrtar, procesi bazohet në nenet përkatëse të statutit të partisë dhe në vendimin e Kryesisë së PD-së të datës 17 mars 2026. Afati për dorëzimin e kërkesave për kandidim është caktuar data 30 prill 2026, ora 12:00.
Sipas shkresës kandidatët që synojnë drejtimin e Partisë Demokratike duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të përcaktuara qartë. Mes tyre përfshihet detyrimi për të qenë anëtarë të PD-së me një profil të lartë publik dhe politik, si dhe me një angazhim të paktën 10-vjeçar në parti. Po ashtu, kërkohet eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal në beteja politike dhe për çështje qytetare.
Një tjetër kusht i vendosur është përmbushja e kritereve të ligjit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen ose ushtrojnë funksione publike.
Dokumentacioni për kandidim duhet të dorëzohet pranë KOKOE dhe përfshin kërkesën me shkrim, shprehjen e interesit dhe curriculum vitae, ndërsa kërkohet gjithashtu edhe formulari i plotësuar i pastërtisë së figurës.
Vendimi mban firmën e kryetares së komisionit, Albana Vokshi, dhe hyn në fuqi menjëherë, duke i hapur rrugë një gare të re për drejtimin e Partisë Demokratike.
Sali Berisha për momentin është kandidati i vetëm në garën për kryetar. Në skadim te afatit për depozitimin e kandidaturave pranë Komisionin të Zgjedhjeve ne PD asnjë demokrat nuk ka shfaqur ambicien për t’i dalë përballë kryetarit.
Kush kërkon të sfidojë në minutë të fundit ka afat deri nesër në mesditë për të depozituar dokumentacionin pranë Komisionin të Zgjedhjeve ne PD.
Udhëzimi i lëshuar me 18 mars, por që u bë publik vetëm një ditë para skadimit të afatit për depozitimin e kandidaturave përcakton edhe kriteret për të marrë pjesë në garën e 23 majit.
Mes kritereve bie në sy edhe ai i dekriminalizimit, që mesa duket prek Ervin Salianjin, i vetmi emër që ka shpallur publikisht ambicien për të sfiduar Sali Berishën në garën për kryetar. Kriteret për kandidatët për Kryetar të PDSH-së janë:
Anëtar i Partisë Demokratike, figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik, me angazhim politik dhe elektoral të paktën 10 vjeçar në Partinë Demokratike;
Të ketë eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar/rajonal në betejat politike të Partisë Demokratike, për kauza qytetare dhe politike;
Të plotësojë kriteret e zgjedhshmërisë sipas ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Reagon Salianji
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka treguar hapat që do të ndërmarrë, pasi PD publikoi sot kriteret që duhet të përmbushin kandidatët, për të qenë pjesë e zgjedhjeve të 23 majit për kryetar të kësaj force politike.
I pyetur nëse do të dorëzojë nesër dokumentacionin për të kandiduar për kryetar të PD-së, Salianji tha se do të dorëzojë të gjitha dokumentet e kërkuara, pavarësisht padrejtësive që sipas tij po bëhen nga kupola drejtuese e PD-së, me qëllim lënien jashtë garës të kandidatëve të tjerë.
“A do të dorëzoni nesër dokumentet për të kandiduar për kryetar të PD-së?”, e pyeti Report TV -Salianjin.
“Do depozitoj gjithçka është kërkuar, pavarësisht se është qartësisht farsë. Një dokument që publikohet vetëm disa orë pas mbylljes së afatit. Pa lista zgjedhore, pa kohë të barabartë, etj. Kjo është uzurpim përmes farsës, por qartësisht edhe frikë e Sali Berishës për t’u përballur”, tha mes të tjerash Salianji.
Më tej Salianji tha se nëse dokumentacioni i tij për të kandiduar për kryetar të PD-së nuk do të pranohet, ai nuk do e njohë procesin, pasi sipas tij, është uzurpim i postit të kryetarit të PD-së.
Nëse do të refuzohen dokumentacioni, çfarë do të bëni?”, e pyeti TV-Salianjin.
“Nuk do e njoh si proces, është uzurpim”, shtoi Salianji.
Reagimi i Salianjit erdhi pasi udhëzimi i PD-së i bërë publik ditën e sotme, 24 orë para skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave, e lë ish-deputetin jashtë garës, pasi parashikohet që personat e dënuar me vendim të formës së prerë, nuk mund të kandidojnë. Kujtojmë se Salianji është dënuar me vendim të formës së prerë me 1 vit heqje lirie, për ‘shpifje’ në lidhje me dosjen ‘Babale’, dënim të cilin e ka përfunduar.
