Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot në një konferencë për mediet se ngritja dhe funksionimi i Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve nuk është i nevojshëm.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me bordin që pritet të dalë sot me vendimmarrje pas rritjes së çmimit të naftës, Berisha e cilësoi atë në shkelmim flagrant të interesave të qytetarëve dhe në mbrojtje të oligopolit dhe interesave të qeverisë.
“Nuk ka nevojë për bord, përgjysmo taksat, vendos nivelin e taksave që ka Kosova dhe Maqedonia dhe pastaj le të guxojë kush të shesë një qindarkë më shtrenjtë naftën në pompat e Shqipërisë që të marrë atë që meriton”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha shtoi se nëse vendoset ngarkesë fiskale shumë më e lartë se vendet e OECD, 33 përqind më të lartë se vendet e OECD, të cilat i kanë të ardhurat për frymë pesë ose gjashtë herë më të lartë se Shqipëria, atëherë qeveria ka vendosur gjobë të rëndë mbi qytetarët e vendit.
