Berisha pret zyrtarin e CDU: Procesi zgjedhor i deformuar, integrimi në BE të bazohet në merita

Nga D. V.
508 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 prill Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim në selinë blu me Christian Forneck, këshilltar për politikën e jashtme dhe të sigurisë pranë grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman.

Berisha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të zyrtarëve të Bundestagut ndaj Partisë Demokratike, si në periudha në opozitë ashtu edhe në qeveri. Ai theksoi se gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet politike në Shqipëri dhe forcimin e bashkëpunimit mes palëve.

Kreu i PD-së gjithashtu bëri me dije se informoi zyrtarin e Bundestagut në lidhje me deformin sipas tij të procesit zgjedhor.

“Zyrtarët e Bundestagut janë miq të shkëlqyer të cilët i kanë dhënë një ndihmë të çmuar në opozitë dhe në qeveri, në kohëra të mira dhe në kohëra të vështira, Partisë Demokratike. Diskutuam gjerësisht për këtë bashkëpunim dhe e njoha mikun e çmuar me të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Me shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale nga Edi Rama, në përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e një njeriu”, tha Berisha.

Berisha nënvizoi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian duhet të jetë i bazuar në meritë. Sipas tij, vetëm një proces i tillë i shërben interesave të qytetarëve shqiptarë dhe vetë BE-së.

“Ramë dakord që të intensifikojmë bashkëpunimin në interesin më të mirë të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, i cili, theksoj edhe njëherë, duhet të jetë një proces i bazuar në meritë, sepse vetëm një proces i bazuar në meritë është interesi absolut i qytetarëve shqiptarë.

“Është interesi absolut më i mirë i qytetarëve të BE. Një Shqipëri, epiqendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, të Evropës dhe të botës, siç cilësohet në disa raporte të Departamentit të Shtetit, është një rrezik real për paqen, sigurinë në Shqipëri, rajon e me gjerë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë për avancimin e integrimit, por, sipas tij, kjo nuk mund të arrihet nën qeverisjen aktuale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër