Tiranë, 23 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se qeveria po ndërton një sistem të gjerë survejimi të qytetarëve, të cilin e krahasoi me praktikat e diktaturës komuniste.
Gjatë një konference për mediet, Berisha tha se pas instalimit të sistemeve të monitorimit të internetit, qeveria ka vënë në zbatim projektin “Smart City”, i cili sipas tij është deformuar nga qëllimi fillestar për t’u shndërruar në një instrument kontrolli dhe mbikëqyrjeje të qytetarëve.
Sipas Berishës, kamerat inteligjente me rezolucion të lartë janë vendosur në pika të ndryshme të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit, ndërsa administrimi i tyre është kaluar te Policia e Shtetit dhe jo te bashkitë, siç ndodh në shumicën e vendeve evropiane.
“Smart City është një projekt i bazuar në kamerat robotike, me rezolucion shumë të lartë dhe aftësi të mëdha, që në Evropë administrohet totalisht nga bashkitë dhe që është kryekëput në funksion të shërbimeve ndaj qytetarëve. Këtu keni një kamerë robotike që survejon ditë e natë protestën, kryengritjen paqësore të qytetarëve dhe rinisë shqiptare. Të tilla kamera janë vendosur në të katër anët e Tiranës dhe që të gjitha jo në disponim të bashkisë, por në disponim të shtetit policesk dhe Policisë së Shtetit”, tha Berisha.
Berisha tha se sistemi i ri mundëson monitorim në kohë reale, lexim targash, gjurmim lëvizjesh dhe mbledhje të të dhënave personale, duke krijuar sipas tij rrezik për cenimin e privatësisë dhe lirive civile.
Berisha tha se modeli klasik i “Smart City” përdoret për menaxhimin e trafikut, transportit publik, ndriçimit inteligjent, parkimeve dhe shërbimeve urbane, ndërsa projekti që po zbatohet në Shqipëri, sipas tij, është fokusuar te siguria, kontrolli dhe monitorimi i centralizuar nga policia.
“Menaxhon trafikun, transportin publik, ndriçimin inteligjent, parkim dhe mjedise, shërbime bashkiake. Menaxhohet nga bashkitë dhe institucionet urbane, larg duart policia. Fokusi ose objektivi: komoditeti për qytetarët, t’u shërbehet sa më mirë qytetarëve. Nën administrimin e narkopolicisë së shtetit, do të thotë karteleve të drogës. Asnjë nga funksionet e Smart City në bashki. Të gjitha policeske. Pra, mbikëqyrje, siguri dhe kontroll, model i centralizuar polici-komandë-qendër”, tha ai.
Berisha tha se sistemi bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe standardet evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Të gjitha këto vijnë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Shqipërisë, në kundërshtim flagrant me direktivën e BE. Pra, janë një shkelje e rëndë e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar dhe e dënojmë me forcën më të madhe”, tha ai.
