U shkarkuan nga Vetingu, Gjykata e Strasburgut u jep të drejtë tre magjistratëve

Nga D. V.
821 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 qershor, Zhurnal.mk – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka dhënë sot 3 vendime në çështjet e ish-prokurorit Gentian Osmani, ish-gjyqtarit Izet Kadana dhe ish-prokurorit Ferdinand Elezi, ku i jep të drejtë këtyre të fundit lidhur me shkarkimin e tyre nga procesi i vetingut.

Avokati Eduard Halimi e cilësoi të sotmen si një ditë historike për sistemin e drejtësisë shqiptare.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Halimi bëri të ditur se Seksioni i Tretë i GJEDNJ-së ka shpallur vendimet në çështjet e ish-prokurorit Osmani, ish-gjyqtarit Kadana dhe ish-prokurorit Elezi.

Sipas Halimit, Gjykata e Strasburgut konstatoi shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke vlerësuar se masat e shkarkimit nga detyra të tre magjistratëve nuk ishin proporcionale me qëllimin e procesit të rivlerësimit kalimtar.

“Strasburgu konstaton shkelje flagrante të nenit 8 të Konventës për shkarkimet në vetting, pasi ato nuk ishin proporcionale. Gjykata kërkon rishikim të procedurave dhe rikthim në sistem”, u shpreh Halimi.

Ai uroi tre magjistratët për vendimet e marra, duke theksuar se karriera e tyre ishte ndërprerë padrejtësisht dhe se tashmë pritet që institucionet shqiptare të reflektojnë mbi gjetjet e gjykatës evropiane.

Halimi deklaroi se tashmë pritet reagimi i institucioneve shqiptare, duke veçuar rolin e Gjykatës Kushtetuese në zbatimin e standardeve të përcaktuara nga Strasburgu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër