Berisha: Protestat kundër reformës territoriale të ligjshme, propozojmë rikthimin e ish-bashkive

Nga D. V.
521 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.

Gjatë fjalës së tij para ambienteve të SPAK, Berisha shprehu mbështetjen për protestat zhvilluara në disa bashki kundër propozimeve të Partisë Socialiste për hartën e re territoriale, duke i cilësuar ato si “protestat më të ligjshme”.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve të bashkive që rrezikojnë të hiqen nga harta administrative të organizojnë protesta të pandërprera dhe të bashkohen me protestën qytetare deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Janë protestat më të ligjshme dhe unë nxis dhe inkurajoj dhe u bëj thirrje të gjitha bashkive të cilat me një të rënë të lapsit narkodiktatori kërkon t’i fshijë nga harta. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ish-bashkive, të cilat ne i kemi rivendosur në hartë për rikthimin e tyre, të ndërmarrin një proces protestash të pandërprerë, të bashkohen me protestën rinore qytetare, gjer në suksesin e plotë të të drejtave të tyre, kërkesave të drejta”, tha Berisha.

Berisha tha se reforma që po propozon qeveria përfaqëson një “veprim sulltanesk” të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij po promovon centralizimin ekstrem në vend të decentralizimit.

Lidhur me procesin për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Berisha tha se Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në përzgjedhjen e kandidatëve, teksa shtoi se opozita ka ndërprerë bashkëpunimin me mazhorancën pas procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Berisha u ndal gjithashtu te funksionimi i institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm, duke e cilësuar atë si “institucioni më i zhveshur nga çdo kompetencë”. Sipas Berishës, Prokurori i Përgjithshëm është reduktuar në një rol statistikor, ndërsa kërkoi rishikimin e kompetencave të tij.

“Pas aktit të tyre me Avokatin e Popullit, ne kemi ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi në përzgjedhjen e emrave”, shtoi Berisha.

“Është një zhveshje e gabuar që i kanë bërë Prokurorit të Përgjithshëm sepse ai është institucion kushtetues. Mendoj se mund të rishqyrtohet si institucion për të korrigjuar disa gabime që janë bërë. Për shembull, ata hetojnë veten e tyre. Nuk ndodh në botë kështu. Nuk ndodh në botë që një institucion për çështje penale, se hajde administrative po, por për çështje penale të hetojë veten e tij”, tha Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër