Berisha: Raporti i PE vë në dukje përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit

Nga D. V.
417 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se raporti i fundit i Parlamentit Europian për Shqipërinë përbën konfirmim të denoncimeve të bëra prej opozitës mbi situatën e demokracisë, shtetit ligjor dhe korrupsionit në vend.

Në një konferencë për mediet, Berisha theksoi se heshtja mediatike për raportin e Parlamentit Europian është e papranueshme.

“Raporti është një dokument i jashtëzakonshëm, në të cilin konstatohet me dhimbje të madhe se gjysma e fëmijëve shqiptarë janë në rrezik varfërie dhe se qeveria nuk ka asnjë masë për fëmijët e përjashtuar, për fëmijët në mjerim. Denoncohet indiferenca në politikat sociale ndaj të rinjve, fondet e ulëta në arsim. Denoncohet mungesa e një politike të qartë strehimi social për të rinjtë, për studentët, për punësimin e tyre”, tha Berisha.

Berisha theksoi se, janë tetë rezoluta nga vjeshta e vitit 2024 gjer sot që denoncojnë gjendjen dramatike në Shqipëri.

“Por tani, shumë shumë i ngjashëm me këto rezoluta është një rezolutë e një komisioni parlamentar të përbërë nga të gjitha grupet parlamentare të Parlamentit Europian. Pra, nuk është një dokument i një organizatë të qendrës së djathtë apo të djathtë, është një dokument i të gjithë spektrit politik, i cili sanksionon një për një ato që ne kemi denoncuar”, tha Berisha.

Sipas tij, raporti sanksionon përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit, përjashtimin e qytetarëve nga procesi i integrimit.

“Paralajmëron se ky proces nuk mund të jetë kurrë pronësi e ekzekutivit. Se parlamenti duhet të jetë forumi qendror i këtij procesi”, tha kreu i PD-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër