Tiranë, 1 maj, Zhurnal.mk – Në kuadër të Forumit të International Democrat Union (IDU) në Zagreb, një delegacion i Partisë Demokratike të Shqipërisë, i kryesuar nga kryetari Sali Berisha, dhe i Partisë Republikane, i kryesuar nga Fatmir Mediu, zhvilloi një takim me Presidentin e IDU, Stephen Harper.
Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që IDU i ka dhënë Partisë Demokratike gjatë periudhave më të vështira politike në Shqipëri.
Zyra e Medias dhe Komunikimit në PD, njoftoi se Berisha ngriti para Presidentit Harper një sërë shqetësimesh serioze lidhur me gjendjen demokratike në Shqipëri, duke iu referuar vlerësimeve ndërkombëtare që e klasifikojnë vendin si “autokraci elektorale”.
Berisha nënvizoi gjithashtu se emigrimi masiv është një nga plagët më të mëdha të vendit, ku mbi 1.1 milion qytetarë, kryesisht të rinj, janë larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ai theksoi se Shqipëria aktualisht përmbush kryesisht vetëm kriteret gjeostrategjike ndërsa procesi i integrimit duhet të bazohet në meritë dhe në përmbushjen reale të standardeve demokratike. Sipas tij, ky proces mbetet i bllokuar për shkak të kapjes së shtetit nga qeverisja aktuale.
Nga ana tjetër, presidenti Stephen Harper vlerësoi si zhvillim pozitiv faktin që qytetarët shqiptarë mbeten fuqimisht pro-NATO pavarësisht politikave të qeverisë në fuqi. Në përfundim të takimit, Harper rikonfirmoi mbështetjen e plotë të IDU për Partinë Demokratike dhe forcat opozitare në Shqipëri, si dhe për procesin e integrimit europian të vendit.
Gjatë forumit në Zgareb, Berisha, zhvilloi një takim dhe me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski.
Berisha vuri në dukje rëndësinë e respektimit, mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë çështje si element kyç për stabilitetin e brendshëm dhe funksionimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës.
Gjithashtu palët i kushtuan një vëmendje të veçantë thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare.
Delegacionin shqiptar e përbënin: Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, deputetët Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi si dhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Enri Çeno.
