Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim në selinë blu me deputetin e Bundestagut gjerman, Peter Beyer (CDU), njëkohësisht drejtues i Grupit për Ballkanin Perëndimor në Bundestagun gjerman, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri.
Në një prononcim për mediet, Berisha tha se gjatë takimit ka informuar raportuesin për Shqipërinë të CDU-së, për situatën në vend.
“E njoha me të gjitha pikëpamjet e opozitës me këto zhvillime dhe e sigurova se ne qëndrojmë të vendosur në projektin e integrimit të Shqipërisë në Evropë, si projekti më i mirë, projekti për të ardhmen më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Natyrisht e njoha edhe me pengesat e mëdha, serioze, shumë të mëdha, me gjendjen e bllokimit të plotë të sistemit të drejtësisë, kartelet e drogës dhe fuqinë e tyre shumë të madhe për shkak të lidhjeve të niveleve më të larta dhe vështirësi të tjera me të cilat ne përballemi, por edhe vendosmërinë tonë për të vazhduar përpjekjet në këtë vend që të realizojmë projektet që kemi”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu falënderoi deputetin e CDU-së për gjithë mbështetjen dhe interesin tij për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ndërsa deputeti gjerman u shpreh se Gjermania mbështet një PD të fortë në rrugën evropiane, teksa shtoi se po shohin edhe sfidat që lidhen me sistemin e drejtësisë.
“Diskutuam për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, një vend që shpeshherë përmendet si një nga vendet kryesuese në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, nga këndvështrimi i Berlinit, ne shohim gjithashtu disa sfida dhe zhvillime të fundit në këtë vend, veçanërisht sa i përket çështjeve që lidhen me sistemin e drejtësisë.
“Unë përgëzoj Partinë Demokratike të Shqipërisë që qëndron fort për vlerat dhe parimet themelore, si dhe për kriteret e Kopenhagës. Këto kritere nuk janë shpikur për të detyruar apo për të ushtruar presion mbi askënd, por për të qenë shumë produktive dhe shumë të dobishme për shoqërinë dhe për qytetarët e Shqipërisë. Këto ishin disa nga pikat kryesore të diskutimit që patëm. Një Parti Demokratike e fortë dhe një opozitë e fortë janë thelbësore për të ardhmen e demokracisë në këtë vend”, u shpreh Peter Bayer.
