Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama, se vendet që akuzojnë Shqipërinë për trafikun e drogës, duhet të shohin nga vendi i tyre për sa i takon problematikave me drogën.
Në konferencën e sotme për shtyp Berisha tha se “është e vërtetë se droga është një problem për të gjitha vendet, por është e vërtetë se vendet e tjera kanë Shqipërinë si furnizues kryesor të kanabisit”.
Berisha tha se “në Shqipëri si në asnjë vend tjetër, kanabizimi u bë politikë zyrtare dhe që nga ai vit për drogën, Shqipëria renditet e para për eksportin e kanabisit në Evropë. Është e vërtetë që vendet e tjera kanë probleme me drogën, por nuk ka asnjë vend në Evropë, absolutisht asnjë, në të cilin eurot e trafiqeve të drogës të futura me kontejnerë në vend, të zhvlerësojnë euron dhe dollarin me 35% dhe t’i japin një goditje fatale ekonomisë shqiptare”.
Më tej kreu i PD-së u ndal te zhvlerësimi i euros.
“Shqipëria është sot lavatriçja më gjigante e kontinentit e parave të drogës. Treguesi i ndërtimit në Shqipëri është tri herë më i lartë se në BE. Ndaj dhe dënoj me forcën më të madhe këto qëndrime të papërgjegjshme”, u shpreh Berisha.
“Në çdo vend tjetër përveç Shqipërisë, euro jo vetëm nuk ka njohur zhvlerësim, por ka njohur një vlerësim të ngadaltë dhe në rritje, kurse në Shqipëri një rënie dramatike, e cila ishte goditje fatale për eksportet e vendit. Rënie, e cila boshatisi plazhet shqiptare dy vera me radhë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se “Edi Rama, numëron për turistë pasagjerët e linjave të lira të Rinasit. Udhëtarë, vizitorë dhe asgjë tjetër. Plazhet kanë qenë të boshatisura si kurrë më parë gjatë këtyre verërave”.
