Berisha: Vendimi për ish-drejtuesit e UÇK-së, i padrejtë dhe i pamerituar

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për të dënuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi për krime lufte.

Berisha e cilësoi këtë ditë si të vështirë për shqiptarët, familjet e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe Kosovën.

“Natyrisht sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të Kosovës, pasi gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit”, tha Berisha.

Berisha i konsideroi dënimet të padrejta dhe tha se ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe Kosovës duhej të ishin shpallur të pafajshëm.

“Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politike të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës. Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta”, tha Berisha.

Kreu i PD-së tha se “asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut”.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb”, tha Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër