Bilalli: Shfuqizimi i Qeverisë teknike pa konsensus, i papranueshëm dhe me pasoja politike

Nga Xh M
508 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 prill Zhurnal.mk – Shfuqizimi i Qeverisë teknike është i papranueshëm si në aspektin politik ashtu edhe juridik, vlerëson profesori universitar Mersel Bilalli. Sipas tij, ky model qeverisës është vendosur me konsensus të gjerë politik dhe në prani të faktorit ndërkombëtar, ndaj çdo përpjekje për ta ndryshuar në mënyrë të njëanshme është e papërceptueshme.

Bilalli thekson se pretendimi se Qeveria teknike është çështje e tejkaluar mbetet i diskutueshëm dhe vështirë i argumentueshëm.

“Unë nuk jam i mendimit se çështja është e tejkaluar nëqoftëse është i kapur sistemi legjislativ, sistemi gjyqësor por edhe vetëqeverisja lokale… Pra është një sistem super i kapur. Andaj nuk mban logjika se qeveria teknike është e tejkaluar”, deklaroi ai për RTVM.

Sipas profesorit, nëse mungon pajtimi i të gjitha strukturave relevante politike për ndryshime të tilla, atëherë procesi bëhet jolegjitim dhe jokredibil.

Ndërkohë, propozim-ligji për Qeverinë ndodhet në procedurë parlamentare dhe ka nxitur përplasje politike. Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka paralajmëruar bojkot të grupeve të punës për Kodin Zgjedhor nëse ligji nuk tërhiqet.

Bilalli paralajmëron se miratimi i mundshëm i ligjit pa konsensus të gjerë mund të përkeqësojë situatën politike në vend.

“Rreziqet mund të jenë të shumfishta, që nga bojkotimi i parlamentit, mospranimi i zgjedhjeve, deri te protesta dhe demonstrata të ndryshme. Kjo nënkupton humbje të kondicionit të sistemit, në vend që të merremi me çështje thelbësore si ekonomia dhe zhvillimi”, u shpreh ai.

Qeveria teknike, e udhëhequr nga një kryeministër teknik nga radhët e pushtetit dhe me përfshirjen e ministrave të opozitës në dikastere kyçe si punët e brendshme dhe çështjet sociale, u vendos në vitin 2025 për të garantuar zgjedhje më transparente, 100 ditë para procesit zgjedhor.

Megjithatë, pushteti aktual insiston që ky model të shfuqizohet pas zgjedhjeve parlamentare të radhës, të planifikuara për vitin 2032.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër