Boris Trajkovski humbi jetën për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të ushtarëve të SFOR-it

Nga Xh M
433 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 mars – Lidhur me këtë, atë mëngjes mbi Mostar kishte mjegull të dendur. Piloti kishte sugjeruar kthimin për shkak të kushteve të këqija meteorologjike, gjë që e bënë presidenti kroat dhe ai slloven, por te Trajkovski, të huajt – si marionetë e tyre me prapavijë jo të sinqertë dhe me efekt strategjik psikologjik – i ndërtuan një përfytyrim (të rremë) se ai ishte faktor stabiliteti dhe ai thjesht besonte se ishte faktor që duhej patjetër të dëgjohej në konferencën ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë dhe sugjeroi uljen.

Para 22 vitesh u rrëzua “kingeri” qeveritar me të cilin Trajkovski po udhëtonte drejt një konference ndërkombëtare për investime në Bosnje e Hercegovinë. Pati përpjekje për disa hetime, por të gjitha u treguan joserioze, sidomos ato të huajat. Një hetim u zhvillua në janar 2013, i udhëhequr nga ekspertë nga Amerika, Gjermania, Kroacia, Serbia, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina, nën drejtimin e ekspertit boshnjak të aviacionit Omer Kuliç.

Në opinion qarkullojnë dy versione rreth vdekjes së Trajkovskit. Sipas të parit, bëhet fjalë për një aksident klasik ajror, ndërsa i dyti flet për atentat ndaj tij. Menjëherë të them se jam në gjurmët e një zgjidhjeje të ndërmjetme, pra, vdekja e Trajkovskit nuk është rezultat i një atentati, por i një sjelljeje të papërgjegjshme, dhe këtë mendim e mbështes në dy momente.

Megjithatë, fillimisht të rikujtoj atmosferën që u krijua rreth këtij rasti tragjik. Në vitet kur vazhdimisht qëndronte dilema për (mos)nevojën e rihapjes së hetimit për rrëzimin e “kingerit” qeveritar pranë Mostarit, në shkurt 2007 në skenë doli edhe deputeti zviceran në Parlamentin Evropian, Andreas Gros. Me sugjerimin e tij u formua një Komision Hetimor në Kuvendin e Maqedonisë, me qëllim përcaktimin e rrethanave të vdekjes së Trajkovskit. Gros e ndezi atmosferën në vend kur deklaroi se presidenti Trajkovski ishte viktimë e një vrasjeje të qëllimshme. Fillimisht ai kishte shkruar se me shumë gjasë bëhej fjalë për gabim pilotimi, por me rekomandim që rasti të shqyrtohej sërish. Më pas ndryshoi qëndrim dhe doli me pretendimin se aksidenti nuk ishte aksident, por vrasje me porosi.

Pra, Gros mbeti në qëndrimin se vdekja e Trajkovskit ishte vrasje me porosi dhe si “provë” ofroi bindjen e tij personale. Ai paralajmëroi se do të vizitonte Maqedoninë, por që atëherë nuk u paraqit më. Si “provë përfundimtare” ai tha se e njihnin shumë njerëz në Maqedoni dhe se ai ishte njeri shumë serioz.

Të kthehem te dy momentet për të cilat mendoj se bëhet fjalë për vrasje si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme.

Dihet se në Bosnje e Hercegovinë ishin të dislokuara forcat e SFOR-it, ndërsa forca të tilla ndërkombëtare kishim edhe në Maqedoni, nën emrin UNPROFOR. Kujtojmë se si këta ushtarë të huaj silleshin nëpër Shkup të armatosur dhe shpesh nuk i respektonin autoritetet vendore. Si pasojë e një sjelljeje të tillë arrogante, ndodhi edhe vrasja e ministrit të atëhershëm maqedonas, Radovan Stojkovski, në një aksident trafiku, kur ushtarë të huaj lëviznin në drejtim të kundërt në autostradën Shkup–Veles.

Në këtë kontekst, hetimi për rrëzimin e avionit qeveritar duhej të përqendrohej në drejtimin e shqyrtimit të gjendjes psikofizike të dy ushtarëve francezë që atë mëngjes ndodheshin në kullën e kontrollit në aeroportin e Mostarit. Deri më sot, sipas autorit, nuk është bërë përpjekje për t’i marrë në pyetje ata.

Autori thekson gjithashtu se aeroporti i Mostarit, megjithëse quhej ndërkombëtar, kishte pajisje të vjetra telekomunikimi dhe pa radar adekuat, dhe se vetëm pas tragjedisë u instalua pajisje e re.

Momentin e dytë e mbështet në faktin se Trajkovski ishte nën kontroll të plotë të faktorëve ndërkombëtarë, prandaj, sipas tij, nuk kishte arsye politike për atentat, kur ai ishte tashmë nën ndikimin e tyre.

Ai shton se Trajkovski vepronte më shumë si përfaqësues i strukturave të huaja sesa si president i pavarur, sidomos gjatë vitit 2001. Sipas këtij këndvështrimi, nuk kishte arsye për komplot të organizuar kundër tij.

Lidhur me zgjedhjet e vitit 1999, autori pretendon se fitorja e Trajkovskit ndaj Tito Petkovskit ishte rezultat i manipulimeve zgjedhore dhe se zgjedhjet u vlerësuan si të rregullta nga faktorët ndërkombëtarë.

Në përfundim, ai vlerëson se narrativa për Trajkovskin si vizionar apo burrë shteti është e ekzagjeruar dhe e ndërtuar, duke shtuar se e vetmja gjë që mund të thuhet është se është për të ardhur keq që humbi jetën i ri dhe la pas familjen e tij.

Kolumnë, Nacional
Prof. dr. Janko Baçev
E diel, 1 mars 2026

Boris Trajkovski humbi jetën për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të ushtarëve të SFOR-it

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër