”Human Rights Watch” e konsideron Kupën e Botës 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada si ”një katastrofë të mundshme për të drejtat e njeriut”.
Drejtoresha e organizatës, Minky Worden, deklaroi për portalin ntv.de se turneu duhet të udhëhiqet nga një kornizë e të drejtave të njeriut.
”Por, mund të them me siguri se, edhe pse Kupa e Botës mund të mbetet më e madhja, ajo nuk do të jetë më e mira për sa i përket të drejtave të njeriut”, tha ajo.
Sipas Worden, turneu është i mbuluar nga pasiguri të mëdha për shkak të rolit të diskutueshëm të agjencisë amerikane të emigracionit dhe doganave ICE, e cila mund të përfshihet në masat e sigurisë gjatë aktivitetit.
”ICE, një lloj force policore paraushtarake, ndjek politika brutale dhe çnjerëzore, edhe ndaj njerëzve që kanë të drejtë të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ajo.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se çfarë roli do të ketë ICE.
Së fundmi, Rodney Barreto, zëvendësshef i stafit në Majami, tha se kishte marrë garanci nga sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio se nuk do të ketë agjentë të ICE brenda stadiumeve gjatë ndeshjeve të Botërorit.
Sipas Worden, ”lufta kulturore” e presidentit amerikan Donald Trump po reflektohet gjithashtu në Kupën e Botës.
”Ajo shihet, për shembull, në mungesën e masave për të drejtat e njeriut në qytetet pritëse. Këto masa duhet të sigurojnë mbrojtjen e minoriteteve dhe grupeve vulnerabël, përfshirë komunitetet LGBT. Por nga katër planet e veprimit të publikuara në SHBA, vetëm Atlanta përmend të drejtat LGBT”, tha ajo.
Worden shtoi se dhënia e Çmimit të Paqes të FIFA-s për Trump është “një formë korrupsioni”.
”Është një sajesë e krijuar për të ledhatuar një njeri që nuk përfaqëson paqen, por shtypjen e dhunshme të qytetarëve amerikanë, bombardimet jashtë kufijve të vendit dhe luftërat jashtë vendit”, deklaroi ajo.
