Shkupi pret “Forumin e Biznesit Maqedoni e Veriut – Shqipëri: Përtej Kufijve”

Nga B.M
616 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 maj, Zhurnal.mk – Më 12 Maj 2026 në Shkup do të mbahet “Forumi i Biznesit Maqedoni e Veriut – Shqipëri: Përtej Kufijve”, duke mbledhur përfaqësues të lartë të institucioneve, komunitetit të biznesit dhe organizatave relevante nga të dy vendet. Forumi i organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup synon të nxisë dialog konstruktiv, të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të identifikojë mundësi të reja partneriteti në sektorë kyç.

Ngjarja do të hapet me fjalime kryesore të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Sh.T. z. Denion Meidani, Kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, z. Branko Azeski, Kryetares së Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, z-nja Ines Mucostepa dhe Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Transportit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Aleksandar Nikoloski. Me fjalë përshëndetëse në mbylljen e Forumit të Biznesit do të drejtohen Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Dr. Bekim Sali dhe Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Manastir, z. Imer Selmani. Pjesëmarrja e tyre thekson angazhimin e përbashkët për avancimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

Forumi do të zhvillohet përmes tre paneleve tematike që trajtojnë fusha me interes të përbashkët:

Paneli I: Mundësitë e Investimit – Nga potenciali në partneritet

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë, Korporata Shqiptare e Investimeve, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Zona e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik Tiranë (TEDA Tirana), Parku Teknologjik DURANA, si dhe Agjencia për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit e Maqedonisë së Veriut. Paneli do të prezantojë kuadrin e investimeve, mekanizmat institucionalë mbështetës dhe praktikat e suksesshme, duke inkurajuar rritjen e investimeve ndërkufitare dhe përfshirjen e sektorit privat.

Paneli II: Korridori VIII – Rruga që lidh rritjen

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Autoriteti Portual i Durrësit, Bechtel, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri dhe Komuna e Gostivarit. Diskutimi do të fokusohet në rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës rajonale, me theks të veçantë në Korridorin VIII si një shtysë për lidhshmëri më të madhe, lehtësim të tregtisë dhe zhvillim ekonomik afatgjatë.

Paneli III: Turizmi – Nga Ohri në Adriatik

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Shoqëria Shtetërore për Zhvillim dhe Pasuri të Paluajtshme (ASDRE), si dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Maqedonisë së Veriut. Paneli do të shqyrtojë mundësitë për promovim të përbashkët dhe zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, duke shfrytëzuar pasuritë kulturore dhe natyrore të rajonit.

Përveç diskutimeve, forumi do të ofrojë mundësi të gjera për rrjetëzim, përfshirë edhe takime B2B dhe B2G.

Këto aktivitete synojnë të nxisin bashkëpunim konkret dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve dhe institucioneve.

Ky forum thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe dialogut të vazhdueshëm për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe shfrytëzimin e potencialit ekonomik. Duke bashkuar aktorë të ndryshëm, ngjarja synon të kontribuojë në një mjedis ekonomik më të integruar dhe më të qëndrueshëm në rajon.

“Forumi i Biznesit Maqedoni e Veriut – Shqipëri: Përtej Kufijve” synon të ngritet në një platformë që që forcon lidhjet ekonomike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë përmes dialogut, shkëmbimit të njohurive dhe krijimit të lidhjeve të reja të biznesit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër