Tiranë, 16 qershor, Zhurnal.mk – Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho deklaroi sot se “SPAK vijon goditjen e rrjeteve të krimit të organizuar të përfshira në aktivitetin e trafikimit të drogës nga Amerika Latine për në Evropë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, të veprimtarisë së pastrimit të parave dhe të pasurive me origjinë kriminale”.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Braho shprehet se “pasuritë me origjinë kriminale dëmtojmë ekonominë e ligjshme, konkurrencën e lirë, veprimtarinë ekonomike të bizneseve që punojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndershme”.
“Ato rrisin forcën ekonomike të krimit të organizuar, përdoren për të financuar veprimtarinë kriminale dhe nuk sjellin asnjë të mirë publike. Për këtë arsye, pasuritë me origjinë kriminale duhet të sekuestrohen, të konfiskohen, të kalojnë në favor të shtetit dhe të përdoren për qëllime të ligjshme”, tha Braho.
Drejtuesi i SPAK, nënvizoi faktin se institucioni që ai drejton “garanton se veprimet e tij synojnë vetëm pasuritë me origjinë kriminale dhe pasuritë që lidhen me veprimtarinë kriminale”.
“Në asnjë rast nuk do të cenohen të drejtat e pronësisë dhe të drejtat e tjera reale të personave fizikë dhe personave juridikë që investojnë në veprimtari ekonomike apo në sipërmarrje private mjete monetare dhe pasuri të fituara në mënyrë ligjshme”, tha Braho.
Mesazhi i Brahos, vjen pas aksionit të SPAK, ku është goditur një prej grupeve kriminale më të mëdha të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
