Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – MPB Maqedoni njofton se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit, nëpunësit policorë privuan nga liria 17 shoferë për drejtim të pakujdesshëm të automjetit.
Katërmbëdhjetë persona drejtonin automjete pa patentë shoferi, prej të cilëve pesë ishin të mitur, ndërsa tre persona drejtonin nën ndikimin e alkoolit. Gjashtë persona në Shkup (dy të mitur), katër persona në Tetovë (tre të mitur) dhe nga një person në Kumanovë, Veles, Ohër dhe Prilep drejtonin automjete pa patentë shoferi.
Nga një shofer në Kumanovë, Makedonska Kamenicë dhe Shkup drejtonin automjete nën ndikimin e alkoolit. Shoferi në Shkup, më parë, me automjetin “Ford” që e drejtonte, kishte goditur një automjet të parkuar “Ford”, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të parashtrohen kallëzime penale përkatëse.
“U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit, të mos drejtojnë automjete pa e dhënë provimin për patentë shoferi, ose nëse u është shqiptuar masa e ndalimit për drejtim ose nëse janë nën ndikimin e alkoolit, dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë për një komunikacion më të sigurt”, thonë nga MPB.
