Shkup, 18 qershor, Zhurnal.mk – Pas votimit të Parlamentit Evropian për Raportin e progresit të Maqedonisë, të përgatitur nga raportuesi Thomas Waitz, pozicioni është i qartë: Korniza e negociatave është e pastër, njësoj si për të gjitha vendet e tjera. Brenda “propozimit francez” ka protokolle që duhet të respektohen, komisioni historik duhet të inkurajohet të punojë. Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, dje deklaroi se ajo nuk është kusht për negociata dhe nuk mund të jetë pengesë për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, shkruan SlobodenPecat, transmeton Zhurnal.
Eurodeputetët pardje hodhën poshtë amendamentin 3, të propozuar nga Waitz, me të cilin kërkohej të fshihej neni 73 nga rezoluta e ardhshme, i cili e fton Komisionin e përbashkët historik të arrijë “rezultate të qarta dhe të prekshme”, duke e bazuar punën e tij në “burime dhe dokumente historike objektive, autentike dhe të provuara”, në përputhje me Protokollin e dytë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Teksti përmban edhe konceptin e “historisë së përbashkët”.
Filipçe tha: “Kemi një kornizë të pastër, të drejtat e pakicave duhet të respektohen dhe prandaj është e domosdoshme që bullgarët, së bashku me kroatët dhe pakicat e tjera, të hyjnë në Kushtetutë. Komisioni historik duhet të punojë, shumë vende kanë pasur komisione të tilla. Komisioni nuk është bazë për bllokim të ri apo çfarëdo lloj pengese në procesin e integrimit.”
Komisioni historik u takua për herë të fundit në fillim të qershorit, por puna prej disa vitesh është bllokuar në shekullin XI, përkatësisht te tekstet e historisë për klasën e shtatë në Maqedoni dhe klasën e gjashtë në Bullgari. Takimi i radhës do të mbahet në shtator në Sofje.
Angel Dimitrov, bashkëkryetar i komisionit nga pala bullgare, deklaroi për mediat bullgare se komisioni mblidhet rregullisht, por “punon në ngecje”. Ai tha: “Ende po shqyrtojmë tekstet e klasës së shtatë në Maqedoninë e Veriut. Ende jemi në shekullin XI. Renditja e takimeve tona nuk ka ndryshuar për tre vjet. Ajo që na pengon është mungesa e gatishmërisë absolute të kolegëve tanë për të pranuar definicionin e historisë së përbashkët. Kjo është pengesa konkrete. Ata nuk duan të pranojnë se Kryepeshkopata e Ohrit është institucion i krijuar nga perandori bizantin Vasili II si përpjekje politike për të ruajtur stabilitetin e perandorisë, duke u dhënë të gjitha të drejtat popullsisë që ishte nën juridiksionin e Patriarkanës bullgare. Për ta kjo është edhe problem politik bashkëkohor, sepse kisha e tyre sot paraqitet si trashëgimtare direkte e Kryepeshkopatës së Ohrit.”
Ish-deputetja dhe kryetarja e DOM-it, Liljana Popovska, korrikun e kaluar dorëzoi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Protokollit nga takimi i dytë të Komisionit të përbashkët ndërqeveritar me Bullgarinë më 17 korrik 2022 në Sofje, por gjykata ende nuk është shprehur. Sipas saj, Protokolli është juridikisht i pavlefshëm sepse nuk është ratifikuar në Kuvend dhe nuk është publikuar në “Gazetën Zyrtare”.
Gjykata Kushtetuese ka formuar lëndë, por nuk ka caktuar seancë publike. Popovska tha për “Sloboden Pechat”: “Nëse Gjykata Kushtetuese e shpall Protokollin antikushtetues, ai do të shpallet i pavlefshëm dhe nuk do të mund të kërkohet nga ne si shtet ta zbatojmë. Atëherë Bullgaria duhet të njoftohet për ndryshimin e situatës juridike, duke krijuar mundësi të diskutojmë për kornizën negociuese pa këtë protokoll. Nuk është e vërtetë që vetëm ndryshimet kushtetuese janë kusht për fillimin e negociatave me BE. Ekziston një paketë e tërë masash në Protokollin e dytë – të ndryshojmë tekstet, programet dhe të plotësojmë të gjitha kërkesat e Bullgarisë, gjë që është mision i pamundur.”
Për kujtesë, Parlamenti Evropian miratoi raportet vjetore të progresit për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor – Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën. Në raport theksohet se Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë detyrimet e marra për ndryshimet kushtetuese, duke rikujtuar qëndrimin e Këshillit të BE-së se konferenca e ardhshme ndërqeveritare mund të mbahet pas zbatimit të ndryshimeve të nevojshme kushtetuese.
