Burgim i përjetshëm për bashkëshortin që vrau ish-finalisten e “Miss Zvicra”

Nga D. V.
831 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Një nga krimet më tronditëse të viteve të fundit në Zvicër mori këtë të mërkurë epilogun gjyqësor.

Gjykata Penale e kantonit Basel-Landschaft dënoi me burgim të përjetshëm 44-vjeçarin M. R. për vrasjen makabre të bashkëshortes së tij, K. J., ish-kandidate për “Miss Zvicra”, duke e shpallur fajtor.

Siç mësohet, të mërkurën, gjykata penale e Bazelit e dënoi të pandehurin me burgim të përjetshëm për vrasje dhe cenim të qetësisë së të vdekurit, raportojnë mediet e huaja.

Trupi gjykues e cilësoi aktin si jashtëzakonisht brutal dhe çnjerëzor, ndërsa hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e të akuzuarit për vetëmbrojtje.

Kryetari i gjykatës, Daniel Schmid, deklaroi gjatë shpalljes së vendimit se rasti kishte tejkaluar çdo përfytyrim normal njerëzor.

“Ky rast ka bërë që fiksioni të kthehet në realitet. Diçka të tillë personalisht nuk e kam përjetuar në të gjithë karrierën time”, u shpreh ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 shkurt 2024 në shtëpinë e çiftit në fshatin Binningen. Sipas konstatimeve të gjykatës, M. R., i cili punonte si konsulent biznesi, fillimisht e sulmoi fizikisht bashkëshorten dhe më pas e mbyti.

Por ajo që ndodhi më pas ishte edhe më makabre. Në bodrumin e banesës, ai copëtoi trupin e viktimës dhe tentoi të zhdukte gjurmët duke përdorur lëngje kimike për të shkrirë pjesët e kufomës.

Prokuroria e përshkroi aktin si një krim të kryer me gjakftohtësi ekstreme dhe pa asnjë shenjë pendese.

Gjatë procesit gjyqësor, i akuzuari pretendoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje, duke deklaruar se bashkëshortja e kishte sulmuar me thikë dhe se mbytja kishte ndodhur aksidentalisht gjatë përleshjes.

Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore rrëzoi këtë version. Sipas ekspertëve, viktima ishte mbytur me ndihmën e një mjeti, si litar apo objekt i ngjashëm, dhe jo vetëm me forcë fizike.

Gjykata theksoi se përdorimi i një mjeti për mbytje kërkon veprim të vetëdijshëm dhe të qëllimshëm, duke përjashtuar mundësinë e një reagimi instinktiv mbrojtës. “Nuk ekziston asnjë tregues që mbështet tezën e vetëmbrojtjes”, deklaroi kryetari i trupit gjykues.

Sipas hetimeve, sjellja e të dënuarit pas krimit ishte po aq tronditëse sa vetë akti. Pasi pastroi gjurmët e gjakut dhe fshehu mbetjet mortore në bodrum, ai bëri dush dhe doli për vrap. Gjatë vrapit, mori dy fëmijët e përbashkët, të moshës 2 dhe 4 vjeç, nga kopshti dhe doli me ta në restorant, duke u përpjekur të ruante imazhin e një jete normale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër