Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Deputeti i Levicës, Borislav Krmov, paralajmëroi ndryshime në Ligjin për Planifikim Urbanistik dhe Ligjin për Financimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, me të cilat do t’i jepet fund mundësisë që persona privatë të financojnë hartimin e planeve të detajuara urbanistike.
Siç theksoi Krmov, zgjidhjet aktuale ligjore në Ligjin për Planifikim Urbanistik u lejojnë subjekteve private të financojnë përgatitjen e planeve të detajuara urbanistike. Në këtë mënyrë, investitorët privatë fitojnë mundësinë të ndikojnë në planifikimin urbanistik dhe t’i përshtatin planet sipas interesave të tyre për përfitim.
Nga Levica vlerësojnë se pikërisht këto zgjidhje ligjore janë një nga shkaqet kryesore të kaosit urbanistik në qytetet e Maqedonisë, ku interesi publik dhe nevojat reale të qytetarëve janë lënë në plan të dytë përballë fitimeve nga ndërtimtaria. Sipas tyre, parcelat urbanistike po planifikohen gjithnjë e më shpesh për ndërtesa, në vend të infrastrukturës dhe përmbajtjeve që u nevojiten banorëve.
Krmov rikujtoi se më herët ishte paraqitur edhe një amendament në këtë drejtim, por që ishte refuzuar nga pushteti. Me ndryshimet e reja ligjore, Levica do të kërkojë sërish heqjen e mundësisë ligjore që kapitali privat të ketë rol të tillë në hartimin e planeve urbanistike.
“Planifikimi urbanistik duhet të jetë në funksion të interesit publik dhe jo një mjet në duart e investitorëve privatë për realizimin e fitimeve”, theksoi Krmov.
