Tiranë, 10 qershor Zhurnal.mk – Të rinjtë e Partisë Demokratike kanë bërë thirrje për vijimin e protestave të përditshme para Kryeministrisë, duke deklaruar se vendi po përballet me sfida të mëdha që prekin çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike. Sipas tyre, situata aktuale kërkon bashkim dhe reagim qytetar.
Në ditën e 11-të të protestës, përfaqësues të forumit rinor demokrat kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Ata theksuan se problemet në arsim, shëndetësi, ekonomi, mjedis dhe siguri prekin të gjithë qytetarët dhe nuk duhet të ndajnë shoqërinë.
Gjatë një deklarate për mediat, Nikola Kedhi u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment kritik dhe se qytetarët duhet të angazhohen për të rikthyer vendin në drejtimin e duhur. Ai i bëri thirrje çdo shqiptari, pavarësisht bindjeve politike, që të dalë në shesh dhe të ngrejë zërin.
Nga ana tjetër, ish-deputetja e PD, Andia Ulliri, ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestë në emër të familjes, kombit dhe të rinjve që po largohen nga vendi. Sipas saj, protesta duhet të bashkojë qytetarët për kauza të përbashkëta dhe jo t’i ndajë ata.
