Me një sërë aktivitetesh kulturore, artistike dhe festive për 28 nëntorin, Komuna e Çairit po shënon 20-vjetorin e vendosjes së shtatores së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Shkup.
Në vitin 2006, me iniciativën e kryetarit të atëhershëm dhe aktual të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në Shkup u vendos shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, një simbol i rëndësishëm i identitetit, historisë dhe krenarisë kombëtare shqiptare.
Në shenjë të këtij jubileu të veçantë, Komuna e Çairit ka organizuar një sërë aktivitetesh që ndërthurin kulturën, artin, muzikën dhe traditën shqiptare.
Aktivitetet festive kanë nisur më 24 nëntor 2026, me shënimin e 20-vjetorit të SH.F. “Kongresi i Manastirit” në Çair. Ndërkaq, më 25 nëntor, në Teatrin Shqiptar në Shkup u mbajt mbrëmja me këngë qytetare, ku para publikut u prezantuan Miranda Hashani dhe Selami Kolonja.
Programi vazhdon edhe gjatë ditëve në vijim. Sonte, në Teatrin Shqiptar në Shkup, mbahet koncerti i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, ndërsa nesër, në Filharmoninë e Shkupit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë koncertin e Rona Nishliut së bashku me New Orchestra.
Kulmi i aktiviteteve do të jetë më 28 nëntor, në kuadër të manifestimit qendror për Ditën e Flamurit, nën moton “20 vjet Krenari”. Në sheshin “Skënderbeu” në Shkup do të organizohet program festiv me pjesëmarrjen e këngëtares Edona Llalloshi, si dhe aktivitete të shumta rinore.
Ky jubile shënon jo vetëm dy dekada nga vendosja e shtatores së Skënderbeut në Shkup, por edhe një simbolikë të veçantë të kujtesës historike, identitetit kombëtar dhe krenarisë shqiptare, që përmes aktiviteteve kulturore përcillet te brezat e rinj.
