Cili është qëndrimi Shqipërisë dhe Kosovës në raport me gjuhën shqipe në RMV?

Nga I.A
2,034 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 mars – Shqipëria dhe Kosova kanë shprehur qëndrime të ndryshme mbi çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka qenë më e kujdesshme dhe institucionale në mbrojtjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërsa Kosova, përmes kryeministrit Kurti, ka dhënë deklarata më të drejtpërdrejta por edhe të kontestuara, që për fat të mirë të shqiptarëve presidentja Osmani e ka balancuar dhe e ka korrigjuar gabimin e Kurtit, shkruan Zhurnal.

Në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe është e rregulluar përmes Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Ligj i miratuar në vitin 2019. Ky ligj e bën shqipen gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes, duke garantuar përdorimin e saj në administratë, gjyqësor dhe institucione publike. Së fundmi, ka pasur shqetësime se Gjykata Kushtetuese mund të shfuqizojë disa dispozita të ligjit, gjë që ka alarmuar faktorin politik shqiptar brenda vendit, e që dje ka pasur reagime edhe nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë.

Cili është qëndrimi i Shqipërisë?

Presidenti Bajram Begaj më 18 nëntor 2024 deklaroi qartë dhe drejtë në mbrojtje të gjuhës shqipe. “Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Çdo tentativë për ta zbehur këtë të drejtë është e papranueshme.”

Elisa Spiropali, ish kryetare e Kuvendit, më 24 shtator 2024 në Shkup tha: “Ligji për gjuhën shqipe duhet të zbatohet në mënyrë të plotë dhe pa asnjë kompromis. Shqipëria është e angazhuar që kjo të mos mbetet vetëm në letër.”

Ferit Hoxha, ministër i Jashtëm i Shqipërisë më 16 mars 2026 ka thënë qartë se do të ndjekin debatin për Ligjin e gjuhëve. “Nënvizova rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, përmes zgjidhjeve që respektojnë parimet kushtetuese dhe pasqyrojnë karakterin multietnik të vendit”, tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë në X platformën pas bisedës me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Timço Mucunski.

Nga këto tre deklarime mund të konstatojmë se qëndrimi i Shqipërisë është institucional, i matur dhe mbrojtës. Tirana e sheh çështjen e gjuhës si pjesë të stabilitetit rajonal dhe si një të drejtë themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Deklaratat janë të sinkronizuara dhe synojnë të ushtrojnë presion diplomatik pa e përshkallëzuar retorikën nacionaliste.

Cili është qëndrimi i Kosovës?

Deklarata e Albin Kurtit, më 19 nëntor 2024, në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe RMV-së, Albin Kurti tha:

“Së pari me sa kam kuptuar unë, kjo është një çështje e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, pasi që tre dispozitat të ligjit për përdorimin e gjuhëve, janë dërguar në Komisionin e Venecias dhe këto tre dispozita paradoksalisht nuk janë zbatuar në të kaluarën. Tash i përket Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut që ta vlerësoi. Por duhet ta sqarojmë një gjë: Nuk ka në Maqedoninë e Veriut ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve që e përmend shifrën 20%, por ai nuk është ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, është ligj për përdorimin e gjuhëve. Kjo është e para. Në anën tjetër besoj që të gjithë duhet të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese i cili nuk bën as përjashtime as diskriminim dhe i cili e respekton shumë gjuhësinë që ekziston në RMV ku nuk e flasin e gjithë popullsia të njëjtën gjuhë. Ju e dini që në Kosovë, ndonse shqiptarë janë rreth 93%, 4% i kemi serb, edhe serbishtja është gjuhë zyrtare. Por në Maqedoninë e Veriut nuk mund të thuhet që na paska qenë shqipja gjuhë zyrtare e tash po u rrezikoja”, ka deklaruar Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi menjëherë në të njëjtën ditë, më 18 nëntor 2024, duke thënë:

“Deklarata e kryeministrit Kurti se gjuha shqipe nuk ka qenë asnjëherë zyrtare në RMV ishte e dëmshme. Është skandaloze dhe e pafalshme të inkurajohet Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut për të zbehur statusin e shqipes.”

Deklarata e Kurtit u kritikua nga faktorë shqiptarë në RMV me të drejtë, pasi u interpretua si minimizim i statusit të shqipes dhe ishte qasje e mungesës së informacionit. Ligji i vitit 2019 e ka bërë shqipen gjuhë zyrtare, prandaj deklarata e tij u pa si e pasaktë dhe e rrezikshme në kontekstin e debatit aktual. Megjithatë, qëndrimi i Kosovës në përgjithësi është pro mbrojtjes së gjuhës shqipe, por kjo duhet artikuluar qartë, drejtë, dhe të thuhet shpesh kudo nga kushdo. Prandaj, edhe Shqipëria ngjashëm sikurse Kosova janë pro gjuhës shqipe dallimi është në artikulim, mbetet të shihet nëse Kosova do të punojë më shumë në këtë drejtim. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër